Berisha: Walenberg, gjeniu i humanizmit – shpëtoi jetën e 100 mijë hebrenjve
100-vjetori i lindjes, ekspozitë në Tiranë për humanistin Raoul Wallenberg
Për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së Raoul Wallenberg, diplomat, arkitekt, biznesmen dhe humanist suedez, i cili hyri në histori për shpëtimin e rreth 100 mijë hebrenjve në Hungarinë e pushtuar nga nazistët, gjatë periudhës së fundit të Luftës së Dytë Botërore është çelur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë një ekspozitë, nën kujdesin e ambasadës hungareze. Ekspozitën e vizitoi mbrëmë edhe kryeministri Sali Berisha. Kryeministri e vlerësoi Wallenbergun, si gjeniun e kurajës dhe të humanizmit, i cili me operacionet e tij për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore kreu aktin më human që qytetërimi ka njohur, duke u kthyer në shembull frymëzimi për të gjitha kohërat. “Asnjë diplomat në histori nuk kishte përdorur misionin e tij në mënyrë kaq kurajoze, kaq humane sa Raul Wallenberg. Ky është një moment për të nderuar gjithashtu të gjithë ata që e ndihmuan atë në këtë operacion kaq të madh dhe të rëndësishëm, ata të cilët nuk u përfshinë nga indiferenca e kohës. Wallenberg është dhe do të mbetet një burim i madh frymëzimi për të gjithë njerëzimin, është një shembull frymëzimi për të treguar se sa i mirë mund të jetë njeriu dhe sa shumë mund të bëjë ai. Me virtytet e tij, Wallenberg vuri ne rrezik gjithçka për të shpëtuar njerëzit e pafajshëm”, u shpreh kryeministri Berisha në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, ku merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Hungarisë, Zsolt Nemeth, Ministri i Turizmit, Aldo Bumçi, Ministri për Inovacionin Genc Pollo, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ambasadori hungarez në Tiranë, János Huszár, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj. Kryeministri gjeti rastin të shprehë edhe vlerat humaniste të shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve. “Wallenbergët nuk ishin të shumtë në numër, por ata ishin kudo, për të bërë atë një qenie njerëzore duhet të bëjë”, theksoi zoti Berisha.
Raoul Wallemberg shërbeu si i dërguar special në Budapest gjatë periudhës Korrik- Dhjetor 1944, kohë në të cilën ai pajisi me pasaporta mbrojtëse dhe strehoi hebrenjtë e Hungarisë në ndërtesa të përcaktuara si territor suedez, duke shpëtuar kështu me mijëra jetë njerëzore. Për aktet e tij humane dhe kurajoze në ndihmë të komunitetit hebre të Hungarisë, Wallenberg është nderuar me shumë çmime në dekadat që pasuan pas vdekjes së tij në 1947.