E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioneri Stefan Fyle: Zgjedhja e Presidentit s’duhet të pengojë reformat

31-05-2012 / Gazeta 55

Pas ultimatumit të Partisë Socialiste dhe djegies së raundit të parë të votimit, reagon Brukseli Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle u shpreh dje se zgjedhja e Presidentit s’duhet të pengojë reformat e integrimit. Fyle reagoi lidhur me procesin e sapo nisur të Presidentit, duke bërë thirrje për mbizotërimin e frymës konsensuale, me qëllim që të bëhet e mundur realizimi i reformave kyçe për integrimin në BE. “Jam duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri e veçanërisht procesin për zgjedhjen e presidentit. Jam i ndërgjegjshëm për rëndësinë e afatit të 24 majit dhe gjithashtu atë që ç’ndodhi dhe ç’nuk ndodhi në 30 maj. E mbaj mend shumë mirë se çfarë kam thënë gjatë vizitës time në Tiranë. Nëse nuk kishte marrëveshje përfundimtare për reformën zgjedhore dhe parlamentare në 24 maj, atëherë marrëveshja e nëntorit mund të kthehej në pjesë të problemit dhe jo të zgjidhjes. U takon forcave politike shqiptare, mazhorancës dhe opozitës të  parandalojnë që kjo çështje të mos bëhet pjesë e problemit dhe që ta zgjidhin çështjen e presidentit në frymën e konsultimeve”, u shpreh Fyle. Gjithashtu, Komisioneri për Zgjerimin shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuar në mbarëvajtjen e reformave. “Kishte angazhime të rëndësishme që u morën nga palët gjatë vizitës time në Tiranë për këtë dhe besoj, se palët do të bëjnë të pamundurën për të realizuar angazhimet që kanë marrë. Unë jam i gatshëm t’ju asistoj për këtë me çfarëdolloj ndihme”, nënvizoi Fyle, lidhur me një çështje të tillë. Ai deklaroi gjithashtu se “Drejtori i përgjithshëm i zgjerimit, Sefano Sanino do të vizitojë së shpejti Tiranën, në mënyrë që të shohë nëse ne mund të bëjmë diçka për të arritur këtë kilometër të fundit për zbatimin e marrëveshjes së nëntorit, që përpjekjet të mos digjen dhe të gjendet një zgjidhje”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›