E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Presidenti”, PS djeg raundin e parë

31-05-2012 / Gazeta 55

Berisha: Opozita ka për qëllim të bllokojë çdo proces. Komisioni Ligjeve: Raundi pa kandidatë, i ezauruar. PS kundërshton kandidaturën e Zaganjorit

Raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit u ezaurua dje pa votim dhe pa kandidatë, për shkak të mos arritjes së një konsensusi nga mazhoranca dhe opozita lidhur me kandidaturën e paraqitur me konsensus nga shumica parlamentare, PD-LSI-PR-PDIU. Mazhoranca propozoi dy ditë më parë si kandidat të saj për President të vendit, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori i cili u përzgjodh mes disa propozimeve të figurave po nga drejtësia apo nga fusha e diplomacisë.
Në takimin e djeshëm mes dy krerëve të grupeve parlamentare Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi nuk u arrit konsensus për kandidaturën e paraqitur nga mazhoranca, teksa palët u ndanë në qëndrime të ndryshme lidhur me paanshmërinë e Zaganjorit. Edhe pse ai nuk vjen nga radhët e forcave politike, përsëri opozita shfrytëzoi rastin që, anëtari i Kushtetueses u propozua nga mazhoranca, për të nisur fazën e bllokimit dhe akuzave për përkatësi politike.
Gjithashtu Komisioni i ligjeve i cili u mblodh dje në orët e para të mëngjesit, konfirmoi se nuk ka ende asnjë kandidat zyrtar për garën presidenciale. Komisioni ka miratuar një raport në të cilin zyrtarizohet se asnjë firmë deputetësh nuk është paraqitur si mbështetje për emra konkretë për President.
Sipas raportit, votimi në raundin e parë quhet i ezauruar edhe pse nuk ka asnjë kandidat zyrtar.
“Pranë këtij komisioni nuk është depozituar asnjë kandidat dhe nëse nuk ka kandidat votimi quhet i kryer”, thuhet në deklaratën për mediat të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Kështu pas seancës së djeshme, raundi i dytë pritet të zhvillohet gjatë javës së ardhshme mes datave 4 dhe 5 qershor.
Sipas Kushtetutës procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri bëhet në pesë raunde, nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm.
Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet çdo shtatë ditë, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale.
“Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›