Berisha: Zërta për rritje taksash, zëra të thatë në shkretëtirë

Nisin punimet për Kaskadën e Devollit. Do punësohen 5 mijë qytetarë
Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës, në Gramsh, nga kompania norvegjeze Statkraft. Ky është i pari nga hidrocentralet që ndërtohet në kaskadën e lumit Devoll dhe përbën 20 përqind më shumë energji nga prodhimi ekzistues, si edhe mbulon nevojat për energji të 150 000 familjeve. Gjithashtu, ky investim sjell përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese të komuniteteve përreth, duke krijuar mundësi për zhvillim ekonomik dhe punësim. Projekti Hidroenergjetik i Devollit përbëhet nga 3 hidrocentrale: Banjë, Kokël dhe Moglicë. Hidrocentrali (HEC) i Banjës, i pari nga hidrocentralet që do të ndërtohen mbi strukturat ekzistuese të papërfunduara, do të ketë një lartësi dige prej rreth 80 metrash. Liqeni do të ketë një sipërfaqe prej rreth 14 kilometër katror dhe kapaciteti i instaluar i HEC Banjë do të jetë rreth 65 MË. Njëkohësisht, kanë nisur punimet për dy segmente rrugore, të cilat do të lidhin digën e Banjës me akset rrugore ekzistuese dhe, gjithashtu, fillojnë edhe punimet e linjës së transmetimit 35 kilovolt, Mjekës - Banjë. Kjo do të jetë jo vetëm për të transmetuar energjinë e prodhuar nga hidrocentrali i Banjës, por mund të përdoret edhe si rrjet shpërndarës për të gjithë zonën e Gramshit. Kryeministri Berisha shprehu entuziazmin për këtë investim, të një prej kompanive më në zë në fushën e energjetikës në Evropë dhe në botë. “Prania e Statkraft në Shqipëri është ftesa më e shkëlqyer për kompanitë norvegjeze, por edhe ato të gadishullit Skandinav, për të parë me interes të veçantë potencialet e investimeve në Shqipëri”, tha Kryeministri Berisha. Më tej, Kryeministri Berisha u zotua se qeveria gjatë mandatit të ri do të përmirësojë edhe më tej klimën e biznesit. “Të gjithë zërat e taksave të larta apo zërat që synojnë të cenojnë klimën e biznesit do të mbeten si zëra të thatë në shkretëtirë”, theksoi Kryeministri Berisha. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se do të jetë e afërt dita kur Shqipëria, me rezervat e saj ujore, do të shndërrohet në një vend lider për prodhimin e energjisë ujore në rajon.