Berisha: Zgjedhjet, test kryesor nëse Shqipëria do ecë përpara
Shqipëria do të paraqesë formalisht kërkesën e vonuar për anëtarësim në BE brenda pak javëve të ardhshme, tha Kryeministri Sali Berisha. Duke folur në një intervistë për Dow Jones Newswires, Berisha tha se aplikimi do të paraqitet përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme të planifikuara për në 28 qershor. “Aplikimi zyrtar do të bëhet përpara zgjedhjeve”, tha ai në një intervistë telefonike dhe shtoi se aplikimi ka mbështetjen e presidencës aktuale çeke të BE-së. Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë është përpjekur të reformojë ekonominë e saj, të modernizojë infrastrukturën e vjetër dhe të zhvillojë lidhje më të ngushta me Perëndimin. Në 1 prill, së bashku me Kroacinë, Shqipëria hyri edhe zyrtarisht në Traktatin e Atlantikut të Veriut duke bërë një hap të madh në evoluimin nga një vend i izoluar komunist, në një vend anëtar të komunitetit ndërkombëtar. Shumë e konsideruan hyrjen në NATO si pararendëse të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Anëtarësimi në NATO është provë e besimit të madh të komunitetit ndërkombëtar në vendin tim”, tha Berisha. “Projekti i dytë i madh tani është anëtarësimi në BE”. Zgjedhjet e qershorit, në të cilat Partia Demokratike në pushtet e Berishës dhe opozita socialiste do të konkurrojnë fort, do të shikohen si një test kyç i gatishmërisë së vendit për të hyrë në BE. Berisha u angazhua se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme dhe në nivelin e standardeve të BE-së. “Zgjedhjet do të jenë një test kryesor, nëse Shqipëria është e gatshme të ecë më përpara, sepse ne kemi pasur probleme me zgjedhjet e kaluara”, tha ai. “Dhe ne duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”.