Vrasja e vëllait, Aldo Bare krijoi bandën për hakmarrje
Kronologjia e vrasjeve dhe e veprave të tjera kriminale të realizuara nën “dirigjimin” e Aldo Bares në vitet ‘97-‘98 në qytetin e Lushnjës, u paraqit dje në Gjykatën për Krimet e Rënda.
Togat e zeza shpallën të hapur procesin gjyqësor në ngarkim të dy pjesëtarëve më kryesorë të “bandës së Lushnjës”, Aldo Bare (Alfred Shkurtit) dhe Enver Dondollaku. Në këtë proces ata janë të veçuar nga anëtarët e tjerë të bandës, pasi dy të pandehurit janë kapur jashtë vendit në Turqi dhe Itali. Aktualisht, Aldo Bare ndodhet nën masën e “arrestit me burg” në Ankara të Turqisë, ndërsa krahu i djathtë i tij, Enver Dondollaku, është duke vuajtur një dënim në Itali. Përfaqësuesi i prokurorisë lexoi dje para gjykatës kërkesën për gjykim, ku jepen episodet kriminale ku janë përfshirë Bare dhe Dondollaku. Sipas kërkesës, vrasja e vëllait të Bares nga Artur Daja, do të pasohej më pas me krijimin e bandës dhe ndërmarrjen e një veprimtarie të gjerë kriminale të mbushur me vrasje, fillimisht për hakmarrje e më pas për rivalitet. Dosja në ngarkim të Bares dhe Dondollakut është regjistruar dy vjet më parë, por letërporositë e anasjellta mes Krimeve të Rënda dhe Italisë e Turqisë u bënë shkak për vonesat në proces. Gazeta boton më poshtë kërkesën për gjykim të paraqitur dje në Gjykatë:
Prokuroria për Krime të Rënda, në datë 07.02.2006, ka regjistruar procedimin penal me nr. 15.
Ky procedim penal është regjistruar në emër të shtetasve Aldo Bare (me emër të ndryshuar nga Alfred Shkurti), Arben Borici, Enver Borici, Ilir Stergu, Erion Cici, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku, Rexhep Gina etj.
***
Në muajin korrik të vitit 1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti, me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej shtetasi Artur Daja. Kur janë afruar disa metra, i pandehuri Aldo Bare së bashku me personat e tjerë të ndodhur në automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Pas fillimit të goditjes edhe nga ana e lokalit, kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Në verandën e lokalit nën shoqërimin e shtetasit Artur Dja ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj. Pas shkëmbimit të zjarrit i pandehuri Aldo Bare së bashku me shtetasin e plagosur aty Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit. Në vendngjarje dhe pikërisht në automjet mbetën të plagosur shtetasi Ramadan Shkurti (vëllai i të pandehurit Aldo Bare), dhe Bardhyl Rabija. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur shtetasi Artur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin shtetasit Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, i qëllon me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen. Ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe të pandehurit Aldo Bare, ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare ka akuzuar shtetasin Artur Daja. Për këtë arsye së bashku me grupin e tij, i pandehuri Aldo Bare ka tentuar disa herë për të vrarë shtetasin Artur Daja. Pas vrasjes të vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmeve të tij, krijoi të ashtuquajturën “bandë e Lushnjës”.
Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Borici, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë.
Pikërisht në këtë periudhë, më datë 03.08.1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë, ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë i pandehuri Arben Borici, i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes, është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.
***
Më datë 13.02.1998, në vendin e quajtur Kolonjë të rrethit Lushnjë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Borici e Ilir Stergu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare i kanë zënë në pritë fuoristradës “Tojota” me targa FR 8079 A. Personat e armatosur pasi kanë parë furgonin të afrohej, kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij. Në fuoristradë udhëtonte shtetasi Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i shtetasit Artur Daja, si dhe shtetasit Masar Aliu dhe Nimet Zeneli, shokë të shtetasit Gramoz Selmani. Ky i fundit pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t’u shmangur nga goditja e grupit, fshihej tek shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, shtetasi Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap. Të pandehurit Arben Borici dhe Ilir Stergu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit. Gjatë ndjekjes shtetasi Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej. I pandehuri Ilir Stergu së bashku me të pandehurin Arben Borici i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Dy shtetasit e tjerë, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu kanë mundur t’i shpëtonin ekzekutimit.
Disa ditë më vonë, më datë 22.02.1998, në rrugën Kolonjë–Bitaj të rrethit Lushnjë, me qëllimin e vetëm vrasjen e shtetasit Masar Aliu, persona të armatosur, ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Enver Dondollaku, Ilir Stergu dhe Arben Borici, kanë pritur ardhjen me makinë të shtetasit Masar Aliu. Pasi kanë pikasur ardhjen e makinës kanë dalë dhe kanë ndaluar makinën. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Masar Aliu, duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj ata kanë qëlluar edhe në drejtim të shtetasit Idajet Beqiri, i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet.
***
Më datë 18.08.1998, në vendin e quajtur “Kodrat e ullinjve” në afërsi të fabrikës së tullave të rrethit Lushnjë, është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Luan Bilbili, i cili konsiderohej si shok i shtetasit Artur Daja. Në mëngjesin e ditës së ngjarjes, në shtëpinë e Luan Bilbilit kanë vajtur persona të armatosur, ku ndërmjet tyre kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Arben Borici. Më pas shtetasi Luan Bilbili është gjetur i vrarë.
Në gusht të vitit 1998 është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Persona të armatosur, ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Borici, Enver Borici, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë Aldo Bare, Enver Dondollaku dhe shtetasin e vrarë Leonard Prifti etj., ditën e ngjarjes kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Pasi nuk kanë gjetur personat të cilët kërkonin, ata i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë marrë me vete disa nga personat që ndodheshin brenda në shtëpi.
Ngjarja në fjalë është e lidhur me një ngjarje tjetër e ndodhur në Lushnjë në të njëjtën ditë. Paraditen e ditës së ngjarjes është bërë goditje me antitank te një makine në Sul Zotaj (Lushnjë), ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal të pandehurit Alfred Shkurti. Në vendngjarje ka qenë edhe furgoni i shtetasit Shkëlqim Haxhiu, nga ku është qëlluar me antitank dhe armë zjarri në drejtim të makinës ku ndodhej i pandehuri Aldo Bare dhe pjesëtar të tjerë të bandës së tij.
***
Në datën 21.10.1998, në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor i shpërndarë. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës. Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Borici, Erion Cici, Arjan Alico, Enver Borici, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj.
Të gjithë viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.
***
Si moment i krijimit të organizatës, e ashtuquajtura “bandë e Lushnjës” apo “Grupi i Alfred Shkurtit”, është vrasja dhe dhunimi i kufomës të shtetasit Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës. Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e shtetasit Artur Daja, banor i qytetit të Lushnjës. Pas vrasjes, shtetasi Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja dhe pjesëtarëve të bandës, krijoi bandën e tij.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehuri Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj, kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre Aldo Bare me nofkat të tilla si: «i madhi»; «profesori»; «kryetari» e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje.
Në vijim të veprimtarisë kriminale, kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike, ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e sport-klub Lushnjës, në bingon e qytetit e të tjera.
Aldo Bare
Akuzohet për:
1- “Vrasje me paramendim” ndaj Genci Kasharit
2- “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë ndaj Artur Dajës
3- “Vrasje me paramendim” ndaj Xhevat Demirit
4- “Vrasje me paramendim” ndaj Nimet Zenelit
5- “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë ndaj Gramoz Selmanit e Masar Aliut
6- “Vrasje me paramendim” ndaj Masar Aliut
7- “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”
8- “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, banesa e Shkëlqim Haxhiut
9- “Krijimi i Organizatës kriminale”
10- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”
Enver Dondollaku
Akuzohet për:
1- “Vrasje me paramendim” ndaj Xhevat Demirit
2- “Vrasje me paramendim” ndaj Nimet Zenelit
3- “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë ndaj Gramoz Selmanit e Masar Aliut
4- “Vrasje me paramendim” ndaj Masar Aliut
5- “Vrasjes me dashje” ndaj Idajet Beqirit
6- “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”
7- “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, banesa e Shkëlqim Haxhiut
8- “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”
9- “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”
10- “Vjedhje me dhunë” në dëm të Baki Taullaut
Dondollaku, vendosi gjoba në
Lushnjë me telefon nga Italia
Armand Bajrami
Prokuroria për Krime të Rënda shtoi dje dy vendimet e Gjykatës së Lushnjës, si prova të reja në dosjen në ngarkim të Aldo Bares dhe Enver Dondollakut. Sipas përfaqësuesit të akuzës, bëhet fjalë për dy vendime, që kanë marrë formë të prerë për akuza të “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim”. Gjithashtu Prokuroria i kërkoi Gjykatës thirrjen e 122 dëshmitarëve, me dëshmitë e të cilëve, organi i akuzës pretendon të faktojë veprat kriminale për të cilat akuzohen Bare dhe Dondollaku.
Në seancën e djeshme, pasi lexoi kërkesën për gjykim, organi i akuzës kaloi në paraqitjen e provave që do t’i shpallen gjykatës për administrim. Veç të tjerash, prokuroria shtoi edhe dy vendime të gjykatës së rrethit Lushnjë. “Njëri prej vendimeve është në ngarkim të Enver Dondollakut, ndërsa tjetri në ngarkim të Dritan Vilës, Maksi Çelës e të tjerë”, tha prokurori. Të pyetur nga gjykata se përse këto dy vendime nuk ishin pjesë e kërkesës për gjykim, prokurori iu përgjigj me argumentin se vendimet në fjalë janë marrë pasi Bare dhe Dondollaku të dërgoheshin në gjykatë. Ndërsa interesin e këtyre vendimeve si provë, akuza e argumentoi me faktin se akuza në këto vendime ishte “vjedhja me dhunë në bashkëpunim”. “Këto prova janë sjellë për faktin se edhe në këtë proces, Dondollaku akuzohet për ‘vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, arsyetoi dje prokurori provën e paraqitur. Ndërkohë që gjatë kohës që mbrojtja po njihej me këto vendime, pasi nuk kishte dijeni për shtimin e tyre në dosje, diktoi mungesën e disa ekstremiteteve në to. Kjo u bë shkak edhe që seanca të ndërpritej për t’i dhënë kohë prokurorisë të paraqesë në gjykatë vendimet me të gjitha shënimet dhe ekstremitetet e ligjshme.
EPISODET
Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda sqaruan dje për gazetën se me vendimet e paraqitura do të faktohen dy episode të vjedhjeve nga Enver Dondollaku. Sipas burimeve, Dondollaku, gjatë qëndrimit të tij në Itali, urdhëronte me anë të telefonit E. Demirin, kunatin e tij dhe L. Avdulin të merrnin gjoba të caktuara prej tij tek qytetarë të ndryshëm të Lushnjës. Prokurori bëri të ditur dje që vendimet që i janë shtuar dosjes janë vendime të formës së prerë. Vendimet i përkisnin vitit 2007, çka justifikonte edhe mospërfshirjen e tyre që më parë në kërkesën për gjykim. Dosja në ngarkim të tyre dhe pjesëtarëve të tjerë të “bandës së Lushnjës” është dërguar në gjykatë në shkurt të vitit 2006. Pak para se të fillonte gjykimi për bandën, ata u veçuan nga pjesa tjetër e grupit.
Viktimat
Artur Daja
Xhevat Demiri
Nimet Zeneli
Masar Aliu
Idajet Beqiri
Luan Bilbili
Bare, “koka” e grupit
Aldo Bare, i njohur edhe si Alfred Shkurti, ishte “truri” i organizatës kriminale. Sipas Prokurorisë, anëtarët e grupit vepronin nën një disiplinë të fortë që drejtohej dhe kontrollohej nga Bare. Po sipas Prokurorisë, urdhrat e dhëna nga Bare, i thirrur nga anëtarët e grupit me nofka, si “I madhi”, “Profesori” apo “Kryetari”, zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë ata, edhe kur bëhej fjalë për vepra të rënda kriminale.
Anëtarët e bandës II
Aldo Bare ( Alfred Shkurti)
Arben Borici
Enver Borici
Ilir Stergu
Erion Cici
Afrim Hoxha
Enver Dondollaku
Rexhep Gina
Grupi tjetër i anëtarëve është gjykuar në procesin e parë ndaj bandës së Lushnjës