E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zjarret të qëllimshme, Rama tenton kapital politik

Berisha tha se në të shumtën e rasteve, zjarret janë të qëllimshme, duke akuzuar indirekt opozitën, por sipas tij, piromanët janë kriminelë dhe nuk mund të kenë lidhje me partitë politike.

“Ata që njohin malin e Dajtit, duhet ta dinë se krahu verior i tij dhe ai lindor janë shumë më të thepisur dhe një pjesë e pamundur të arrihet nga njeriu. Ishin këto mjete ajrore që bënë të mundur fikjen e zjarreve, të cilët kanë bindjen më të thellë se janë vepër e kriminalitetit njerëzor, piromanë, ziliqarë, që djegin pronën e njëri-tjetrit. Janë arrestuar mbi 70 persona të dyshuar për implikime. Janë kapur në flagrancë duke vendosur zjarre. Një banor nga Golemi i Gjirokastrës, më dërgoi dje mesazh. E arrestoi policia, e liroi prokuroria. Krimet e zjarrit janë krime të rënda, pavarësisht se në ligjin tonë, ne duhet ta shqyrtojmë, po për fat të keq, ne e quajmë të tillë vetëm kur është i organizuar”, tha Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.

Ai akuzoi liderin e opozitës se nuk ka bërë asnjë moment thirrje për të denoncuar zjarrvënësit. “Është për t’u dhimbsur që z.Rama, në një traditë unike në Evropë, në çdo lloj fatkeqësie mendon se do të nxjerrë kapital politik. Po të vini re, në asnjë nga deklaratat nuk është bërë qoftë edhe një herë thirrje për të denoncuar zjarrvënësit. Nuk është bërë asnjëherë thirrje për të mbështetur zjarrfikësit. Një eksponent i lartë i PS-së i bën telefonatë ministrit për mbështetje. Por, ku ai i thotë se të arrestuarit janë militantë të thekur, ai nuk e telefon më. Unë nuk them, por ata janë kriminelë dhe nuk kanë të bëjnë me asgjë me forcat politike”, shtoi Berisha.

Të ndahet Gjuha nga Letërsia

Gjatë mbledhjes, kryeministri foli edhe për nisjen e vitit të ri shkollor, që pritet të nisë të hënën e ardhshme, duke theksuar se një sërë reformash të tjera do të bëhen në këtë fushë. “Në emër të qeverisë dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të vendit një vit të mbarë dhe plot suksese. Për qeverinë arsimi mbetet çështja më serioze dhe më kryesore. Shkollimi i fëmijëve tanë është dhe do jetë përparësi mbi përparësitë e tjera. Sot ka një trupë pedagogjike të konsoliduar dhe të vendosur për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Kjo trupë pedagogjike është e vetëdijshme për misionin e saj të jashtëzakonshëm, por natyrisht e vetëdijshme për vlerësimin maksimal që është bërë gjatë këtyre viteve, ka gjithë vullnetin për të ecur drejt cilësive të reja në fushën e arsimit”, tha Berisha.

Duke përmendur rritjen e rrogave për mësuesit, që sipas tij që nga viti 2006, kjo rritje ka qenë 120%, Berisha premtoi libra falas për një sërë kategorish. “Për fëmijët në nevojë librat falas ose rimbursim 100%. Kështu nxënësit romë, marrin falas të gjithë paketën e teksteve në ditën e parë, nxënësit që kanë probleme me shikimin dhe dëgjimin, ata rimbursohen me 100%, ata të pakicave kombëtare, nga familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërsa nxënësit që kanë në familje anëtarë me aftësi të kufizuara, që kanë kryefamiljar pensionist apo me pension invaliditeti, rimbursohen me 50%. Fëmijët e emigranteve marrin falas tekstet. “Kurrikulat e reja të hynë sa më shpejt në përdorim. Skemat klasike duhet të lihen mënjanë. Gjuha nuk mund të jetë bashkë me Letërsinë. Të rikualifikohen mësuesit”, tha Berisha, duke shtuar se këto vite Gjuha Shqipe është dëmtuar mjaft. /Start/

                                                                                             2012-09-05 12:00
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›