E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Zone e lire per investimet kineze

Kryeministri Sali Berisha në takimin me anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës dhe Sekretar i Parë i Partisë për Pekinin zotin Liu Çi, konsideroi vizitën e tij në Shqipëri, si një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve miqësorë, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë për forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, si ato politike, institucionale ekonomike, kulturore, etj.
Kreu i qeverisë theksoi se deklarata e partneritetit strategjik e nënshkruar nga dy qeveritë dhe marrëveshje të tjera janë një bazë e shkëlqyer për zhvillimin në stade edhe më të larta të marrëdhënieve dypalëshe. Duke e njohur zotin Liu Çi me raportin më të fundit të Bankës Botërore sipas të cilit investimet e huaja direkte ne Shqipëri janë rritur 3 herë më shumë se ato në 3 vende të rajonit të marra së bashku, Kryeministri ilustroi potencialet e mëdha që Shqipëria ofron.
Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, Kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze që mund ta shfrytëzojnë këtë pozitë të favorshme për penetrim të mëtejshëm në tregjet evropiane.
Zoti Berisha inkurajoi investime në infrastrukturën portuale, në energjetike, miniera, në turizëm, etj dhe siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për to.
Nga ana e tij, anëtari i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës Liu Çi falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Sekretarit të Partisë Komuniste të Kinës Hu Jintao dhe të Kryeministrit kinez Ëen Jiabau.
Zoti Liu Çi vlerësoi progresin e vrullshëm që ka njohur Shqipëria, veçanërisht nën drejtimin e Kryeministrit Berisha. Ai nënvizoi se të dy vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu, se do të inkurajojë kompanitë kineze me reputacion që të shfrytëzojnë potencialet që ofron ekonomia shqiptare.
Ai gjithashtu informoi kryeministrin Berisha dhe shprehu kënaqësinë e tij se një grup prej 100 kompanish kineze në maj të këtij viti do të vizitojnë Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›