Berisha: Zoti shpëtoftë të majtën nga piktori i dështuar, Edi Rama
Kreu i qeverisë zhvillon homazhe tek varri i piktorit, Ibrahim Kodra
Kryeministri Sali Berisha ka shprehur dje besimin e tij në një fitore të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas kryeministrit anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave, rritja ekonomike si dhe dyfishimi i pagave deh pensioneve janë disa nga arritjet e qeverisë të cilat sipas kryeministrit do ti japin fitoren e mandatit të tretë. I pranishëm në festën e 100 vjetorit të një shkolle në Ishëm të Durrësit, kryeministri Berisha vuri në dukje investimet e kryera në arsim dhe rritjen e pagave të mësuesve edhe gjatë mandatit të ardhshëm. Garantoj mësueset e mësuesit se ne që rritëm rrogat e tyre nga 120-150 për qind në harkun kohor 2006-2012, në mandatin e ri do të rritet jo më pak se 700 dollarë, tha kryeministri Berisha.
Inaugurimi
Në vijim të vizitës së tij, kreu i qeverisë u ndal në Shijak ku inauguroi një segment rrugor që lidh qytetin me komunën Gjepalaj. Duke folur para banorëve të zonë, kryeministri Berisha vlerësoi rëndësinë e ndërtimit të kësaj rruge, ndërsa premtoi për fermerët e kësaj zone ndërtimin e sistemit vaditës më modern Ne mbetemi të vendosur për të ndërtuar së bashku sistemin vaditës më modern që ekziston sot. Ne mbetemi të vendosur për të financuar me grante zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, deklaroi kryeministri, Sali Berisha.
Homazhet
Gjatë udhëtimit mes Ishmit dhe Shijakut, kryeministri bëri homazhe në vendin ku prehet piktori i shquar Ibrahim Kodra. Një rast ky që kreu i qeverisë e përdori edhe për të ironizuar kundërshtarin e tij politik, Edi Rama. Erdha sot(dje) të përulem me nderimin më të madh, para gjeniut të pikturës shqiptare dhe një prej piktorëve më të mëdhenj të kohës së vet, Ibrahim Kodra. Por, me këtë rast, gjithashtu lutja dhe urimi im: Zoti e shpëtoftë të majtën shqiptare nga piktori i dështuar Edi Rama! Shqipërinë e ka shpëtuar dhe do ta shpëtojë e djathta e bashkuar e saj”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Berisha: Entuziazëm për fitore në zgjedhjet e 23 qershorit
Partia Demokratike zhvilloi pasditen e djeshme një takim me strukturat e saj. Mbledhja u zhvillua pa praninë e kamerave, ndërsa pas përfundimit të saj, kryeministri Sali Berisha tha se strukturat e PD-së i ka përfshirë një entuziazëm i madh për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Strukturat dhe mbështetësit e Partisë Demokratike i ka përfshirë një entuziazëm shumë i madh për një fitore të thellë dhe të shkëlqyer në 23 Qershor. Qeveria plotësoi të gjitha reformat për të marrë rekomandimin e statusit. Rama i bllokoi ato me votat e tij, vetëm e vetëm që Shqipëria mos të merrte statusin. Tani nuk ka më kohë për tu bërë një raport për Shqipërinë. Pasi u sigurua që nuk ka kohë për një progres raport, Rama kërkoi që tu hedhi hi syve duke thënë i votoj, nuk i votoj, i votoj. Në qoftë se nuk i voton Rama, do ti votoi sovrani në referendum, pas fitores sonë në mandatin e ardhshëm, deklaroi kryeministri Sali Berisha.