Nano këshillon Berishën: Duhet të largohesh si spanjolli Aznar
Fatos Nano: Nuk rikthehem më në politikë, Presidenca, aspirata ime
Fatos Nano në një intervistë për Bugajski Hour ka deklaruar se ai nuk do ti rikthehet më politikës aktive të ditës, por se do jetë pjesë e nismave jo partiake për hir të stabilitetit politik dhe kombëtar. Ai i ka dhënë dhe një mesazh kryeministrit Berisha, duke vënë në dukje se mjaftojnë 8 vite në pushtet për të mos prodhuar ngërç. Përvoja spanjolle, pra, ku shembulli i fundit u dha nga lideri i qendrës së djathtë, Aznar, në vitin 2004, i ka bërë që të gjithë që të kuptojnë se tetë vjet në qeveri janë mëse të mjaftueshme për të mos prodhuar ngërç në shoqëri, në ekonomi, në besueshmërinë e politikës në sytë dhe mendjen e qytetarit, dhe sidomos për të ndihmuar shoqërinë që t’i përgjigjet në mënyrë politikisht dinamike rinovimit të zgjedhësve dhe të vetë shoqërisë, tha Nano.
Janusz Bugajski
Më lejoni të hidhem drejt e te pyetja që them se shumë njerëz po bëjnë aktualisht, sidomos teksa zgjedhjet po afrohen. A do të ktheheni aktivisht në politikë? Cilat janë planet tuaja? Cilat janë aspiratat tuaja politike të paplotësuara?
Kjo është një pyetje e mirë që shumëkush po e bën. Dhe një gjë është e sigurtë, unë duhet t’i qëndroj besnik historisë sime politike, si dhe familjes sime politike, e cila përbëhet nga komuniteti i votuesve dhe militantëve të qendrës së majtë në Shqipëri. Por karriera ime politike është në fakt një shprehje e hapur dhe publike jo thjesht e një politikani partiak. Unë kam preferuar dhe kam nxitur shpeshherë e vazhdimisht krijimin e një standardi dhe të një tradite edhe në këtë demokraci të brishtë: Hapje ndaj kundërshtarëve dhe ndaj opozitës, nisma gjithëpërfshirëse që mund të ofrojnë zgjidhje më të gjera e të qëndrueshme nga zgjidhjet e pjesshme militante. Dhe, pa dyshim, është e një rëndësie jetike, që opozitës t’i jepet kontrolli mbi disa institucione të rëndësishme të shtetit, si p.sh. Kontrolli i Lartë i Shtetit, apo mbi Komisionet Parlamentare që bëjnë të mundur që Qeveria të ketë një llogaridhënie më të madhe dhe të jetë më transparente në veprimet e saj. Sipas kësaj filozofie, mua më duhet të jap një përgjigje që fillon duke shmangur atë që nuk do të ndodhë. Unë nuk do të kthehem më prapa në politikën partiake.
Ju nuk do të ktheheni, pra!
Nuk do të kthehem! Pra, nuk dëshiroj të luaj sërish atë rol vendimtar dhe relevant të karrierës sime vetëm në njërën anë, sepse unë jam tashmë i angazhuar – mund t’ju jap shembullin e filozofisë sime politike, e cila është përqafuar gjerësisht dhe që ende çmohet nga publiku – të luftoj kundër bllokimit me kokëfortësi të rifreskimit të elitave politike dhe të nxis bashkëjetesën ndërmjet gjeneratave politike në politikë dhe në qeveri. Sigurisht, unë do të vijoj të jem jashtëzakonisht aktiv në nismat jo-partiake, si një paqe-bërës, si një paqe-ruajtës, si një promovues euro-atlantik i vlerave dhe si mbrojtës i standardeve moderne që kanë vërtetuar se janë frytdhënëse në shoqëritë tuaja.
Pra, sa i përket zgjedhjeve që po afrohen, ju nuk do të jeni aktivisht i përfshirë në fushatë?
Sa i përket pjesëmarrjes në garë, jo! Po shfrytëzoj këtë rast për t’u lëshuar votuesve të Shqipërisë një apel politik dhe publik. Unë jam përkrahës i nismave, duke nisur nga zgjedhjet, të cilat janë çasti kyç i çdo demokracie, që do të ndihmonin shoqërinë shqiptare të maturohet si demokraci. Kjo nuk mund të ndodhë kurrsesi pa ndryshim! Dhe në kuptimin tim, dhe pikërisht kjo është ajo që do të kërkoja të ndaja me publikun, ndryshim faktikisht nuk do të thotë thjesht rotacion i pushtetit. Ndryshim do të thotë, sipas të gjitha gjasave, një ndryshim dramatik dhe thelbësor në axhendën politike të klasës politike. Një zhvendosje, pra, nga debatet mendjengushta, madje dhe mikroborgjeze, provinciale e lokaliste, më tepër ballkanike se sa euro-atlantike, drejt realitetit global të ideve, vlerave të kohës dhe konkurrueshmërisë me to. Ne duhet të fillojmë tani, duke nisur me këtë votë plebishitare për ndryshim, të merremi me sfidat të cilave populli ynë dhe vendi ynë duhet t’u japë përgjigje, të cilat janë: Si të bëhemi konkurrentë në ekonominë globale dhe kulturën e kohës? Si të jemi pjesëmarrës, në dimensionet tona modeste, në lëvizjen globale të vlerave, kapitaleve, njerëzve dhe, veçanërisht, të nismave që i sjellin një vlerë të shtuar njerëzimit. Pra, unë do të përkrah, edhe pse nuk bëj fushatë personale, ato programe, iniciativa dhe udhëheqës që kanë kuptuar, dhe janë angazhuar, për të bërë të mundur që ky ndryshim thelbësor të ndodhë!
Pra, a do të thonit se është më pak e rëndësishme që të ketë një rotacion, dhe më e rëndësishme që të ketë politika të reja krijuese dhe imagjinative nga administrata e ardhshme? Me fjalë të tjera, sa i rëndësishëm është rotacioni? Tani kemi një qeveri të udhëhequr nga demokratët. A është e rëndësishme që të ketë një qeveri të socialistëve? Apo është kjo më pak e rëndësishme se sa politikat e qeverisë?
Më lejoni t’jua parashtroj në terma më praktikë! Kur ne përqafuam demokracinë më shumë se sa 20 vjet më parë, sllogani kryesor që frymëzoi të djathtën apo të majtën, që frymëzoi ndryshimet në filozofinë apo në frymën e vetë partive politike, ishte E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe në mesin e përvojave të ndryshme, por edhe miqësive të kombeve të ndryshme që u ofruan nga vendet e BE-së, një simpati të veçantë kishte modeli spanjoll i të bërit të paqes dhe i të garantuarit të rotacioneve të paqshme të forcave politike në pushtet, pikërisht sepse ato kishin arritur t’i mbijetonin me maturi një konflikti civil tejet dramatik, i cili historikisht është i njohur. Përvoja spanjolle, pra, ku shembulli i fundit u dha nga lideri i qendrës së djathtë, Aznar, ne vitin 2004, i ka bërë që të gjithë që të kuptojnë se tetë vjet në qeveri janë mëse të mjaftueshme për të mos prodhuar ngërç në shoqëri, në ekonomi, në besueshmërinë e politikës në sytë dhe mendjen e qytetarit, dhe sidomos për të ndihmuar shoqërinë që t’i përgjigjet në mënyrë politikisht dinamike rinovimit të zgjedhësve dhe të vetë shoqërisë. Pra, votuesit e rinj, sidomos votuesit e rinj, kanë nevojë për liderë të rinj.
E kuptoj! Si thoni, sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për Shqipërinë dhe për besueshmërinë e Shqipërisë, por gjithashtu edhe për ecurinë e Shqipërisë si demokraci? Dhe si mund të garantojë Shqipëria që zgjedhjet të jenë, pikë së pari, të lira dhe legjitime, por gjithashtu edhe të pranuara nga shumica e popullatës?
E drejtë! Kjo, fatkeqësisht, mbetet ende një çështje dhe problem kyç, që shpresoj se të gjithë ne do ta vlerësojmë seriozisht. Ajo që ndodh faktikisht, për shkak të një historie kritike të zgjedhjeve në këtë vend, është një skepticizëm i lartë dhe i ndjeshëm, në mos mungesë besueshmërie nga publiku, për mundësinë që zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të ndodhin një ditë në Shqipëri. Kjo vjen mbas një agresioni madhor ndaj institucionit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që ndodhi në vitin 1996. Dhe ky proces nuk u stabilizua aspak nga akti i kundërt që ndodhi në vitin 2005, kur dhe unë nuk mund të hesht dhe të mos ritheksoj gjërat që janë më vendimtare të karrierës sime për herë të parë, askush nuk i kontestoi zgjedhjet, dhe kjo ndodhi në një situatë të veçantë, kur unë dhe qeveria ime humbëm zgjedhjet. Pra, ne patëm një rotacion paqësor të qeverisë. Kjo do të thotë se ndërmjet këtyre dy ekstremeve ne duhet të shpresojmë që Shqipëria dhe votuesit shqiptarë, ne duhet të shpresojmë që kjo shoqëri tejet dinamike, e cila ka një moshë mesatare shumë të re, të riprodhojë besimin dhe përkrahjen për institucionet më të rëndësishme q