Berisha akuza Prokurorisë: Nuk po heton organizatorët e 21 janarit
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha nuk ndalet ndaj sulmeve të Prokurorisë, sa kohë që organi i akuzës, ende pas një muaji nga ngjarja e dhunshme e 21 janarit, nuk ka bërë një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës. Në një takim me Zëvendëspresidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtorin Rajonal për Europën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin, Berisha tha gjithashtu se nxjerrja e vazhdueshme në media e dokumenteve të procesit hetimor po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm. ”Kryeministri Berisha e njohu zonjën Brajan me zhvillimet e fundit në vend, pas përpjekjes së dhunshme të opozitës më 21 janar, për përmbysjen e qeverisë dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Kryeministri theksoi qëndrimin e tij të palëkundur dhe koherent, të shprehur që pas sulmit mbi selinë e Kryeministrisë, që një hetim profesional, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe i besueshëm është themelor për kapërcimin e situatës së krijuar dhe për të ardhmen e shtetit ligjor. Kryeministri shprehu shqetësimin që mbas më shumë se 1 muaj, ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 janarit, mbi të gjithë aktorët që projektuan dhe organizuan tentativën për përmbysjen anti- kushtetuese të organeve të zgjedhura me votë”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale, Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, për të garantuar transparencë maksimale dhe standardet më të larta, si dhe një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së.