E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria & 21 janari, Nishani çon çështjen “Xibri” në Kuvend

SHKRUAN: Aleksandra Bogdani 08-03-2011 15:25

Tiranë- Përtej akuzave politike ndaj Ina Ramës, Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar Kuvendit një dosje inspektimi, ku përmes çështjes “Xibri”, pritet të analizohet qëndrimi i Prokurorisë në ngjarjet e 21 janarit. Raporti voluminoz, i dorëzuar nga ministri Bujar Nishani, në Kuvend, ka në fokus inspektimet e kryera në Prokurori gjatë vitit 2010, e megjithatë, mes faqesh gjendet edhe kontrolli i kryer në fund të janarit 2011, për lirimin e sindikalistit Fiqiri Xibri. Një precedent me 2 standarde, e në kundërshtim me ligjin, është cilësuar lirimi i sindikalistit, pas demonstratës së 21 janarit, ndërkohë që shkeljet e evidentuara, Ministria e Drejtësisë ia ka përcjellë Presidentit Bamir Topi dhe kryeprokurores Ina Rama. Sipas raportit që pritet të diskutohet fillimisht në Komision, e më pas në seancë plenare, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani ka urdhëruar një kontroll në Gjykatën e Tiranës, pak ditë pas vendimit të 24 janarit 2011, i cili linte kreun e Sindikatës së Minatorëve në detyrim paraqitje. “Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Fiqiri Xibri është një prej autorëve të dhunës, i cili është arrestuar në flagrancë, i dyshuar për veprat penale të goditjes, për shkak të detyrës dhe shkatërrim të pronës”, - thuhet në raportin që Nishani i ka dorëzuar Kuvendit. Gjatë inspektimit që i është bërë qëndrimit të prokurorit me inicialet R.F, ka rezultuar se gjatë seancës së masës së sigurisë, arrestimi i tij është cilësuar i ligjshëm, por si masë shtrënguese është kërkuar ajo e detyrimit të paraqitjes në Policinë Gjyqësore. Grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë vlerëson se qëndrimi i prokurorit është kontradiktor, po aq sa edhe me dy standarde. “Nga njëra anë, prokurori pranon veprimet e kryera nga i dyshuari si bashkautor, në dëmtimin e godinës së Këshillit të Ministrave, makinave dhe goditjen e punonjësve të policisë. Në anën tjetër, në kërkesën që parashtron para gjykatës, prokurori nuk merr parasysh provat e paraqitura prej tij dhe në mënyrë jo bindëse kërkon detyrim për paraqitje për F.B”, - thuhet në raportin e Nishanit. Grupi i inspektimit e ka cilësuar në kundërshtim me ligjin, qëndrimin e prokurorit, aq më tepër që ndaj kreut të Sindikatës së Minatorëve ekzistonte një vendim që e pengonte atë të merrte pjesë në tubime. Sipas informacioneve që disponon Ministria e Drejtësisë, Fiqiri Xibri ishte dënuar me 3 muaj burg në nëntor të vitit 2010, ndërsa vendimi ishte pezulluar me kushtin që për 18 muajt e ardhshëm, ai të mos kryente asnjë vepër tjetër penale. “Është pikërisht kjo prokurori, që ka filluar procedimin penal dhe ka kërkuar deklarimin fajtor të Fiqiri Xibrit, ndërsa pa kaluar as 2 muaj nga data e deklarimit fajtor, prokuroria nuk bën identifikimin e këtij të dyshuari si të dënuar më parë, duke vendosur masën e detyrimit të paraqitjes në kundërshtim me ligjin. “Për këtë rast mendojmë se organi i prokurorisë ka vepruar në kundërshtim me ligjin e për rrjedhojë, duke krijuar një precedent me 2 standarde”, - përfundon raporti, duke theksuar se për këtë rast duhej kërkuar vetëm masa e sigurisë “arrest me burg”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›