E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet e përgjimeve, ja shkeljet në Elbasan

Tiranë- Mosrespektimi i Kodit të Procedurës Penale, për administrimin e përgjimeve në një procedim penal, rezulton të jetë një nga shkeljet më të rënda të evidentuara gjatë inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, në Prokurorinë e Elbasanit. Sipas raportit thuhet se janë konstatuar mjaft raste, kur gjatë hetimit paraprak, materialet e përgjimit mbahen në dosjen përkatëse, në kundërshtim me pikën 3 të nenit 223 të Kodit të Procedurës Penale. Raporti citon se ky nen parashikon që organi, i cili ka realizuar përgjimin, i depoziton këto materiale në prokurori dhe më pas ato depozitohen në sekretari. Gjithashtu, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 224 të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha materialet e përgjimit i kalojnë gjykatës së bashku me dosjen dhe kërkesën për gjykim, ndërkohë që materialet duhet t’i paraqiten gjykatës jashtë dosjes gjyqësore, e cila më pas vendos transkriptim e pjesëve që çmohen prej saj. Në raport thuhet se transkriptimet, për të cilat vendos gjykata i bashkohen dosjes, ndërsa materialet origjinale e të plota të përgjimit mbeten të depozituara në prokurori. “Në kundërshtim me pikën 2 të nenit 224, kur çështja pushohet, materialet origjinale të përgjimit mbeten në dosje dhe arshivohen si pjesë e saj, sepse nuk bëhet kërkesa drejtuar gjykatës, për të vendosur për mënyrën e veprimit me këto materiale” - citon raporti i Ministrisë së Drejtësisë. Ky problem është pranuar edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, pas verifikimeve që inspektorët kanë kryer në Prokurorinë e Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›