E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishet krushqia, plagosen në atentat babë e bir

FUSHË KRUJË- Dy persona janë qëlluar me breshëri automatike, në afërsi të banesës së tyre, në fshatin Thumanë të Krujës. Sipas burimeve zyrtare mësohet se babë e bir, janë qëlluar me armë zjarri, ndërsa kishin pak minuta që kishin lënë banesën e tyre. Të njëjtat burime shprehen se ngjarja ka ndodhur në orën 10:30 minuta të ditës së djeshme, ndërsa Dervish Mana, 62 vjeç, sëbashku me djalin e tij Shkëlzenin, 33 vjeç, kanë dalë nga banesa e tyre, duke udhëtuar në drejtim të qendrës së komunës Thumanë. Afër tyre është afruar me shpejtësi një autoveturë, në të cilën udhëtonte Gani Cakoni, fqinj i tyre. Me të ndaluar makinën afër tyre, Cakoni ka nxjerrë nga dritarja e makinës së tij një automatik tip kallashnikov dhe ka qëlluar Dervish dhe Shkëlzen Manën, me breshëri automatike dhe pasi i ka lënë të shtrirë përdhe, në anë të rrugës, është larguar me shpejtësi me mjetin që drejtohej nga djali i tij Oresti.

Kanë qenë kalimtarë të rastit që u kanë dhënë ndihmën Dervish dhe Shkëlzen Manës, të cilët i kanë dërguar të dy të plagosurit në Spitalin Ushtarak. Breshëria e automatikut ka lemerisur banorët e zonës, të cilët kanë vajtur tek vendi që ka ndodhur ngjarja dhe kanë lajmëruar policinë e Krujës për plagosjen.

Kontrolli

Me të marrë njoftimin, Policia e Krujës ka mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes, duke izoluar gjithë vendin e ngjarjes dhe nisur ekspertizën. Po kështu, forca të shumta të policisë së Krujës kanë bllokuar të gjitha rrugët hyrëse e dalëse për në komunën Thumanë, ku kanë nisur edhe krehjen e zonës, për të bërë të mundur arrestimin e Gani Cakonit. Ndërsa problematike mbetet situata, pasi sipas burimeve të policisë mësohet se autori i krimit ndodhet ende i armatosur dhe përpjekja e policisë për të ndaluar atë bëhet akoma më e vështirë. Ndërkohë mjekë të spitalit ushtarak, që kanë bërë edhe ndërhyrjen kirurgjikale te dy të plagosurit, shprehen se të ata, falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia po punon për gjetjen dhe arrestimin e autorit të krimit, Gani Cakoni.

Motivi

Hetimet paraprake, sipas burimeve zyrtare të policisë, bëjnë të ditur se shkak i këtij atentati ndaj Dervish e Shkëlzen Manës, nga ana e Gani Cakonit, ka qenë një prishje krushqie mes dy familjeve. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Krujës, e cila i referohet hetimeve dhe marrjes në pyetje të dy të plagosurve, mësohet se shtatë vite më parë, njëri nga djemtë e Dervish Manës, ishte fejuar me vajzën e Gani Cakonit. Por disa muaj më pas, kjo fejesë ishte prishur, për shkak se familja e Gani Cakonit ka pretenduar se djali i Dervish Manës ishte i martuar edhe në Itali. Kjo ka bërë që dy familjet të prishin krushqinë, ndërsa debatet kanë nisur mes tyre, për vite të tëra. Dje në mëngjes, ata e kanë lënë që të takoheshin, Gani Cakoni sëbashku me Dervish Manën, dhe njërin nga djemtë e tij, Shkëlzeni, për të biseduar mes dy familjeve dhe për t’u sqaruar. Ndërsa Dervishi, sëbashku me djalin e tij Shkëlzenin kanë dalë nga banesa e tyre, ata janë qëlluar me breshëri automatike nga Gani Cakoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›