E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti “Nishani”, ja shkeljet e Prokurorisë në pesë rrethe

SHKRUAN: Leonard Bakillari 08-03-2011 15:26

Tiranë- Një i dënuar për disa vepra penale ka mundur të “mashtrojë” prokurorinë e gjykatën, duke rifituar lirinë, edhe pse ishte nën hetim nga autoritetet spanjolle për disa akuza të rënda. Si Prokuroria, ashtu dhe Gjykata e Kurbinit, i kanë dhënë lirinë të shumëkërkuarit Astrit Bushi, me argumentin se kishte kujdestarinë e një vajze të mitur, në një kohë që 32-vjeçari rezultonte zyrtarisht beqar. Manovrat e tij, duket se do t’i kushtojnë shtrenjtë prokurorit të çështjes, i cili sipas një inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, ka dhënë pëlqimin për pranimin e kërkesës së Astrit Bushit, cili u riarrestua pak muaj më parë, nga forcat speciale të RENEA-s. Historia e pazakontë që tregon sa lehtë mund t’ia hedhësh sistemit gjyqësor në Shqipëri është evidentuar nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, gjatë një kontrolli të planifikuar në Prokurorinë e Kurbinit. Rezultatet kanë qenë vërtet të papritura, pasi i njëjti gjyqtar kishte vendosur më parë mospranimin e kërkesës për lirimin me kusht, duke argumentuar ndër të tjera edhe mbi gjendjen civile të të arrestuarit, i cili rezultonte beqar. Lidhja në martesë me një grua që kishte edhe një fëmijë të mitur, si dhe kërkesa që vetë bashkëshortja kishte depozituar në gjykatë për divorc, kanë qenë dy nga arsyet që bindën gjykatën për t’i dhënë lirinë Astrit Bushit. Por ky episod, që tregon realisht mënyrën se si funksionon një pjesë e mirë e sistemit të drejtësisë në vend, është një nga rastet e evidentuara në raportin voluminoz të Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka ushtruar inspektim në disa prokurori të vendit. Prokuroria e Elbasanit dhe Shkodrës, Kurbinit, Korçës dhe Tiranës kanë qenë në fokusin e inspektorëve, të cilët kanë kaluar në proces verifikimi të gjitha dosjet e pushuara, apo ato të mosfilluara që prej 6-mujorit të dytë të vitit 2007, e deri në fund të vitit 2008. Shkeljet e evidentuara nga inspektimit, të cilat janë kryesisht të natyrës procedurale janë paraqitur në raportin vjetor të Ministrisë së Drejtësisë, i cili i është përcjellë Kuvendit të Shqipërisë ditën e djeshme. Sipas raportit, rezulton se këto shkelje janë vërtet në nivel alarmant, edhe pse Prokuroria e Përgjithshme thotë se një pjesë e këtyre shkeljeve qëndrojnë. Në raport citohet edhe korrenspondenca që Ministria e Drejtësisë ka pasur me Prokurorinë e Përgjithshme për rezultatet e raportit, por organi qendror i akuzës pretendon se inspektorët e saj kanë verifikuar të gjitha shkeljet e pretenduara, duke arritur në përfundimin se përgjithësisht, Prokuroria e Elbasanit ka zbatuar me përpikmëri urdhrat e Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas raportit, evidentohen shkelje të ndryshme në prokurori të ndryshme. Prokuroria e Elbasanit dhe ajo e Shkodrës kanë një sërë shkeljesh të karakterit procedural për çështjet e pushuara, apo për ato që është vendosur mosfillimi i procedimit penal, të cilat i janë bërë prezente edhe Prokurorisë së Përgjithshme. Parregullsitë në regjistrimin e njoftimit të veprave penale; parregullsitë në administrimin e mbajtjes së dokumenteve, mosrespektimin e Kodit të Procedurës Penale lidhur me përgjimet, mosrespektimi i detyrimit të prokurorit në lidhje me vendimet për mosfillimin e procedimit penal; moskryerja e veprimeve të detyrueshme dhe të nevojshme hetimore nga ana e prokurorit, si dhe përdorimi i gabuar i bazës ligjore nga ana e prokurorëve, janë disa nga shkeljet e evidentuara në Prokurorinë e Elbasanit. Ndërsa nga inspektimet në Prokurorinë e Shkodrës rezulton se shkeljet janë të një tjetër natyre. Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë rezulton se prokurorët e Prokurorisë së Shkodrës, në shumë raste nuk kanë kuptuar, duke mos zbatuar kështu drejt disa nga nenet e Kodit të Procedurës Penale, lidhur me shfuqizimin e vendimit të marra nga prokurori më i ulët, i cili është atribut i prokurorit më të lartë. Raporti tregon se prokurorët kanë arsyetuar se vendimi i pushimit të çështjeve mund të shfuqizohet vetëm nga gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›