E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha akuzon Ramën: “Ka trefishuar taksat e Bashkisë së Tiranës”



ryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i informoi deputetët për rritjen e pagave dhe të pensioneve nga data 1 korrik për 820 mijë qytetarë shqiptarë. Kryeministri u shpreh se po përmbushet programi i qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Më tej, kryeministri foli edhe për rritjen që Bashkia e Tiranës u ka bërë taksave për biznesin, duke akuzuar kreun e Bashkisë, Edi Rama: “Parlamenti ka votuar një ligj në të cilin përcakton nivelet e taksave 1 euro për tabelën; përcakton diapazonin që i lejon kryetarit të Bashkisë të shkojë vetëm 10 për qind mbi nivelin e përcaktuar në ligj. Do të bllokohen të gjitha të ardhurat në thesar dhe do të studiohen rrugët që teprica t’u kthehet atyre që ky ua ka marrë mbi ligjin. Se të dalësh e të shëtisësh nëpër Shqipëri e të flasësh nga mëngjesi në darkë për krizë dhe nga ana tjetër të trefishosh taksën! E imagjinoni ju zotërinj se çfarë bën ky?! Ky u lëshon urrejtje bizneseve. Ky thotë vër tabelën me 300 mijë lekë. Ajo është vetëm 1 euro, por e garantoj zotin Rama se po vazhdoi kështu, s’do të mund të marrë as edhe 1 euro, sepse do ta heqim fare me ligj. Taksa e emrit nuk ekziston kund në botë, përveç se te Bashkia e Tiranës”, - është shprehur Berisha.
Më tej ai ka bërë të ditur se më 1 korrik qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet. “Kam kënaqësinë t’ju informoj se programi i qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve brenda 3 javëve që vijnë bëhet realitet. Ky program zbatohet pikë për pikë, sikundër dhe ishte parashikuar në buxhetin që ju votuat në Parlament. Kjo është e mundur, para së gjithash dhe mbi të gjitha, nga performanca ekonomike. Është rezultante e suksesit të padiskutueshëm të reformave. Ata që menduan apo që u thanë qytetarëve vjet se rritja e pagave dhe pensioneve po bëhet për qëllime elektorale, do të dëshpërohen sivjet me rritjen e re të pagave dhe pensioneve, e cila është më e madhe se vjetshmja. Unë gjykoj se investimi në kapitalin njerëzor dhe ndjeshmëria ndaj kontributit të të moshuarve janë detyrime madhore të kësaj qeverie. Ndaj ne bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh, siç theksova dhe në mbledhjen e qeverisë, realisht duke qenë vendi i vetëm që e merr një vendim të tillë. Kështu që më datë 1 korrik, 820 mijë qytetarë, 820 mijë familje do të kenë në kontot e tyre, në portofolat e tyre, një shtesë të rëndësishme që tejkalon 2 deri në 7 herë inflacionin”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu iu kundërpërgjigj reagimit kundër të opozitës përsa i përket borxhit të marrë nga qeveria. “Është e dhimbshme kur shoh opozitën që nga mëngjesi deri në darkë flet për borxhin me të njëjtën urrejtje siç flitej dikur për kapitalizmin dhe borxhin e tij. Me këtë logjikë Enver Hoxha pati ndaluar me Kushtetutë marrjen e borxhit, pavarësisht se e zhyti vendin në mënyrën më antikushtetuese dhe në mënyrën më të tmerrshme në borxhe. Ai e shkroi në Kushtetutë dhe këta kanë nostalgji. I them zotit Rama të lexojë pak më shumë, të thellohet pak te borxhi dhe struktura e tij. Se problem madhor ekonomik është e vërtetë që ekziston në qytetin e Tiranës, ku kapitalistëve të vegjël, mikroborgjezëve, Edi Rama u ka rezervuar barrën më të rëndë fiskale bashkiake. Zoti Rama ka trefishuar taksën e mjedisit, ka pesëfishuar taksën e tabelës, ka shpikur një sistem fiskal sikur Tirana të ishte Peniani dhe jo kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s”, - është shprehur kryeministri.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›