Mekullam: “Britania e Madhe mbështet integrimin europian të Shqipërisë”
Britania e Madhe ka shprehur mbështetje për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por i kujton klasës politike se reformat duhen realizuar për hir të qytetarëve, jo sepse të huajt ua imponojnë. Kështu e ka përkufizuar procesin e integrimit ambasadorja britanike, Fiona Mekullam, gjatë një ekspozitë fotografike ku ishin përfshirë mendimet e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE. Sipas ambasadores britanike, BE-ja nuk është vetëm një vizë apo një shqetësim politik, por është një sistem vlerash.
Kjo deklaratë e ambasadores vjen pikërisht në një moment kur procesi i integrimit dhe në mënyrë specifike marrja e statusit të vendit kandidat po dëmtohet për shkak të situatës politike në vend.
Kryeministri takon përfaqësues të Agjencisë së trajtimit të mbetjeve të ngurta
Kryeministri Berisha priti dje përfaqësuesin e agjencisë së ndihmës “SIDA”, Bjorn Andersson, i shoqëruar nga sekretari i parë i Ambasadës Suedeze në Tiranë, Niklas Mattson. Me interes e kërkesë të qeverisë shqiptare, qeveria suedeze angazhoi agjencinë e saj “SIDA” për të bërë një studim në shkallë vendi në lidhje me trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta. Zoti Andersson i prezantoi kryeministrit raportin e bërë për këtë problem, duke dhënë edhe sugjerimet për ngritjen e një mekanizmi institucional e njerëzor për të menaxhuar mbetjet urbane. Zoti Andersson i tha kryeministrit që kishte gjetur mbështetjen e plotë të njësive të qeverisë që trajtonin këtë problem. Kryeministri Berisha e falënderoi përfaqësuesin e agjencisë “SIDA” për kontributin e dhënë deri tani dhe për propozimet e bëra, në lidhje me përqasjen dhe zgjidhjen e një problemi kyç për vendin, si ai i mbetjeve të ngurta. Kryeministri tha se ishte absolutisht në vëmendjen dhe interesin e tij që në momentin kur erdhi në pushtet, përqasja dhe zgjidhja e problemit të mbetjeve urbane dhe që për këtë qëllim kishte ngritur edhe grupe pune. “Mbrojtja e ambientit, pastrimi i tij dhe trajtimi i mbetjeve urbane, si pjesë të kësaj strategjie, është prioritet në axhendën e qeverisë shqiptare”, - theksoi kryeministri.
15 Qershor 2010