PS: Presidenti të mos falë tre muaj para dhe pas datës së zgjedhjeve
Tre anëtarët socialistë të Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, Armando Subashi dhe Ermonela Felaj, kanë propozuar disa amendamente për projektligjin për faljen. Një dispozitë e ndryshimeve të propozuara nga socialistët, që ende nuk është diskutuar në Komision, është që Presidenti i Republikës të mos e ushtrojë të drejtën e faljes së të dënuarve tre muaj para dhe pas datës së zhvillimit të zgjedhjeve. Kjo dispozitë ende nuk është shqyrtuar në Komision dhe nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë maxhoranca. Por, ky ka qenë një shqetësim i shprehur i anëtarëve socialistë të Komisionit të Ligjeve edhe gjatë diskutimit në parim. Në fakt, gjatë mbledhjes së kaluar këtë propozim e bëri deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i cili kërkoi që Presidenti të mos e ushtrojë këtë drejtë kushtetuese 6 muaj para përfundimit të mandatit të tij, si dhe gjatë periudhës zgjedhore. Socialistët i janë referuar për këtë propozim debatit të zhvilluar gjatë zgjedhjeve të fundit kur iu dha leje nga Drejtoria e Burgjeve të dënuarve gjatë periudhës zgjedhore.
Amendamentet
Në draftin e paraqitur dje në Komision, socialistët vlerësuan se në thelb ky projektligj është i vonuar dhe tepër i domosdoshëm për të rregulluar dhe detajuar një institut shumë të rëndësishëm të së drejtës penale dhe një të drejtë kushtetuese të çdo të dënuari, në përputhje me kritere ligjore të caktuara. “Projektligji i paraqitur nga Këshilli i Ministrave, në tërësinë e tij rregullon aspektet në kuptimin procedural dhe material të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të ushtruar faljen ndaj një kategorie të caktuar të dënuarish. Nëpërmjet amendimeve që po paraqesim ne synojmë: forcimin e kritereve ligjore për të dënuarit që mund të kërkojnë t’u falet një pjesë e dënimit apo i gjithë dënimi. Kjo është shumë e rëndësishme në momentin e tanishëm, por jo vetëm, në kuadër të ashpërsimit të luftës ndaj kriminalitetit në përgjithësi dhe ndaj krimit të organizuar në veçanti”, - argumentojnë në relacion anëtarët socialistë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve.
Sipas socialistëve, për disa vepra penale mjaft të rënda me ndjesi të madhe në opinionin publik, por edhe në kuadër të bashkëpunimit dhe angazhimeve me partnerët ndërkombëtarë në luftën ndaj kriminalitetit, është e tepër dhe e pajustifikuar që disa persona, të cilët kanë kryer vepra penale shumë të rënda, që kanë qenë pjesëtarë në grupe apo banda kriminale, kanë kryer trafiqe të ndryshme me pasoja të rënda për jetën e njerëzve, kanë marrë pjesë ose kanë ndihmuar dhe stimuluar akte terroriste, kanë kryer vepra të rënda ndaj jetës së fëmijëve, grave, zyrtarëve të lartë etj., që mbasi të kryejnë një pjesë të dënimit të falen. Ky shqetësim i socialistëve vjen për shkak se disa të dënuar të falur gjatë këtyre viteve të fundit janë dënuar pikërisht për akte të tilla të rënda dhe më pas janë falur. Gjithashtu, socialistët propozojnë që ministri i Drejtësisë të konceptohet si personi i vetëm përgjegjës për zbatimin e këtyre kritereve ligjore ndaj të gjithë të dënuarve që kërkojnë të falen. Roli i tij në propozimin për faljen e një të dënuari duhet të jetë i qartë dhe në mbështetje të plotë të kritereve lejuese dhe ndaluese të ligjit. Po kështu, socialistët kërkojnë rritjen e transparencës së ministrit të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës ndaj gjithë këtij procesi, duke pasur detyrimin që në çdo rast të përcjelljes së praktikave për te Presidenti, njëkohësisht t’i bëjë ato publike. Gjithashtu, edhe dekretet e Presidentit, duke u botuar të plota në Fletoren Zyrtare, me të gjitha ato të dhëna të propozuara, do të rritin transparencën ndaj publikut dhe do të bëjnë të mundur një gjykim më të mirë të opinionit rreth kësaj vendimmarrjeje.
15 Qershor 2010