Edmond Panariti paraqet kandidaturën e tij për kryetar të LSI-së për Tiranën
Profesor Edmond Panariti i ka paraqitur dje një kërkesë sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama, për të kandiduar për postin e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën. Panariti është një ndër themeluesit e parë të LSI-së. “Arsyeja e daljes sot para jush është se sot kam takuar sekretarin e Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama, për t’i paraqitur formalisht kërkesën time për të kandiduar për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën. Dy arsye të forta më shtynë mua drejt kandidimit: së pari unë jam një ndër themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një njohës i mirë dhe kontribuues sistematik në strukturat e LSI-së së Tiranës”, - u shpreh Panariti, duke shtuar se “veçanërisht, përvoja ime rreth gjashtëvjeçare e komunikimeve të vazhdueshme me anëtarësinë dhe zgjedhësit në Tiranë kanë krijuar tashmë te mua modelin e një politikëbërjeje dinamike dhe konkrete. Te ky model unë fuqimisht besoj, pikërisht unë këtë modele synoj ta kthej në një mënyrë veprimi dhe shërbimi ndaj qytetarëve, nëse anëtarësia, natyrisht, do të më mbështesë me votë. Synimi im është që t’i rikthej dhe t’i jap një dimension dinamik bashkëpunues për qytetarin Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Tiranës. Ka dhe një arsye tjetër që më motivon mua drejt këtij kandidimi. Unë jam jo vetëm një qytetar i Tiranës, por dhe me orgjinë nga ky qytet. I përkas njërës prej familjeve më të vjetra të këtij qyteti. Për këtë arsye unë jam i lidhur shpirtërisht dhe i ndjeshëm ndaj pulsit të zhvillimeve, por dhe ndaj brengave dhe shqetësimeve të këtij qyteti. Prandaj kandidimi im duhet parë edhe si një borxh, si një përgjegjësi dhe si një dëshirë që unë kam për t’i shërbyer qytetit, qytetarit dhe në fund të fundit është dëshira për ta parë Tiranën një qytet metropol europian”.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama, theksoi se kandidatura e Panaritit është një kandidaturë dinjitoze, që përfaqëson vlera dinjitoze intelektuale të admirueshme. Ai tha se duke administruar këtë kandidaturë, LSI-ja çel kështu fazën e parë për zgjedhje për kryetarin e saj për Tiranën. Rama ka shprehur vlerësimin maksimal për gjithë angazhimin politik dhe intelektual të Panaritit, duke veçuar integritetin e tij si një vlerë të spikatur.
15 Qershor 2010