E Shtunë, 31 Tetor 2026

John Demos zbulon imazhet e ndaluara nga komunizmi

 

Alma Mile

“Rruga drejt demokracisë është një nga më të vështirat. Do të ketë pasoja, keqkuptime, vështirësi, fjalë dhe veprime të pakuptimta, abuzime... Asgjë që nuk e dimë. E tillë është kjo rrugë. Është pikërisht për këtë, që ajo është madhështore, madje heroike”. Janë këto fjalë të shkrimtarit Ismail Kadare, të vendosura në “zemrën” e shqiponjës së zezë, që hapet në “territorin” e saj të kuq, në kopertinën e albumit fotografik “Albanie”. Janë 144 faqe dëshmi nga të parat momente të lindjes së një sistemi të ri në Shqipëri. Shtëpia botuese franceze “Actes Sud” ka nxjerrë pak kohë më parë në Francë një album me fotografi të artistit me origjinë greke John Demos. Janë shkrepje të realizuara në vitin 1991 dhe tregojnë lakuriq, një realitet deri në atë kohë të fshehur nga bota. Albumi, i cili përmban 70 fotografi me ngjyra, paraprihet nga një parathënie e shkruar nga shkrimtari Ismail Kadare, i cili në kohën kur Demos ndërmori aventurën shqiptare, la Shqipërinë, duke përçuar dëshminë e tij nga vendi më i izoluar në botë. Gati 45 vjet diktaturë staliniste e bënë Shqipërinë e shek. XX një vend pa imazh. Shqiptarët ishin qenie pa fytyrë, pa emër, vetëm propaganda zyrtare ua ofronte këtë luks. Këtë fakt do ta nënvizonte dikur edhe shkrimtari Ismail Kadare, në një intervistë për një media të huaj, kur e pyesin mbi prezantimin e një populli, të panjohur për një kohë të gjatë në sytë e Evropës. Ai thotë se “Shqipëria nuk ka thuajse fare pamje. Imazhi i saj është në ndërtim”. Më tej saktëson: “Shqipëria e djeshme komuniste është pa dyshim përgjegjësja për shumë gjëra. U bë qesharake duke zgjedhur të jetë mbrojtësja e fundit e Stalinit. U përjashtua nga bota civile për shkak të barbarisë së saj të paprecedent”. Rënia e regjimit komunist në vitet ’90, provokoi tek John Demos një dëshirë të thellë të përshkonte qytetet dhe fshatrat shqiptare, i “fshehur” nën petkat e turistit. Për të kjo ishte një aventurë e vërtetë. Shkrepjet e para janë spontane, të realizuara thuajse me nxitim, si të mos donte të binte në sy. Vështrimet e njerëzve jo detyrimisht janë të ngulura drejt tij, por edhe atëherë kur janë, ofrohen si pyetje drejtuar atij njeriu, që kalon aty pari duke shkrepur aparatin. Statusi i tij prej “turisti”, nuk ia bëri punën edhe aq të thjeshtë. Qëllimi i tij ishte të fiksonte ambientin dhe atmosferën, që karakterizonte vendin në fazën e ndryshimit radikal. Përmes fotografive të tij John Demos na jep një dëshmi të rrallë, duke na rikthyer në kohërat e ngjarjeve të mëdha politike, si ndryshimi i sistemit e mitingjet politike, por edhe vështirësitë e jetës së përditshme, të ngërthyera nga kriza ekonomike dhe mjerimi total. Edhe pse mjeshtër i bardh e zisë, Demos ka krijuar një album fotografik me ngjyra, duke pasqyruar këtë periudhë tranzicioni që po kalonte Shqipëria. Përshkrimeve idilike të Lord Bajronit, për udhëtimin e tij mitik, bujtjen në sarajet e Ali Pashait, burrave të ashpër me fustanella e jataganë, Demos i vesh një tjetër fytyrë. Për të huajt mund të duket si një dekor operetash, me personazhe të çuditshme, ndërsa për shqiptarët janë pamje të njohura, por të “groposura” thellë në kujtesën e “padëshiruar”. Aparati fikson njerëz të veshur keq, burra me pamje të çoroditura, me flokë të paqethur e të parruar, sehirxhinj që vrasin kohën pa punë, të tjerë të luajnë tavëll e të tjerë që u rrinë mbi kokë, trena të tejmbushur që udhëtojnë drejt portit të Durrësit, ish-zyra të djegura, apo duar që zgjaten drejt një të ardhmeje të panjohur. Janë pamje që vijnë nga e gjithë Shqipëria, që nga Korça, Shkodra e Tirana. Këto ishin pamjet e “ndaluara” të Shqipërisë, që iu shfaqën botës në fillim të dhjetëvjetëshit të fundit të shek. XX.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›