E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak, qindra në protesta për lirimin e gazetarit

 

Reporteri i një televizioni irakian, i cili goditi me këpucë Presidentin Bush gjatë një konference për shtyp, është arrestuar dhe është mbajtur në burg, ndërsa akuzohet për agresion. Reporteri Muntadhar al-Zaidi, nga kanali Al-Baghdadia, po kalon testet e alkoolit dhe drogës për të vendosur gjendjen e tij mendore, sipas një zyrtari qeverie. Në konferencën për shtyp të së dielës, gazetari hoqi këpucën dhe e hodhi atë në drejtim të Bushit gjatë vizitës së tij të paparalajmëruar në Bagdad. Sipas reporterit, hedhja e këpucës, një fyerje tradicionale në kulturën arabe, ishte një “puthje lamtumire” ndaj një “qeni”, që nisi pushtimin e Irakut në vitin 2003. Ndërsa rrjeti televiziv Al-Baghdadia ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të reporterit, kolegët e të cilit e kanë përshkruar atë si “të qetë dhe të sjellshëm”. Por “ai urrente ushtarët amerikanë dhe presidentin Bush. Nuk kishim dyshim se do ta realizonte këtë akt”, thanë gazetarët. Al-Baghdadia tha se Al-Zaidi duhet të lirohet “sipas demokracisë dhe lirisë së shprehjes që i është premtuar Irakut nga autoritetet e epokës së re dhe amerikanët”. Kanali televiziv kishte marrë telefonata pa fund, ku pjesa më e madhe e njerëzve shprehnin mbështetjen për Al-Zaidi. Disa të tjerë mendonin se sjellja e tij ishte e pavend. Nuk është e qartë se çfarë e motivoi gazetarin për një gjest të tillë, por reporterët sugjerojnë se Al-Zaidi e njihte nga afër dhimbjen e luftës në Irak. Ai ishte rrëmbyer në nëntor të vitit 2007 dhe ishte liruar tre ditë më vonë, sipas “Reporterë pa kufij”. Al-Zaidi është nga Sadr City, Bagdad, një nga lagjet më të varfra dhe vendngjarjet e konflikteve më të përgjakshme të vendit. Arrestimi i tij ka zemëruar popullsinë, të cilët kanë protestuar dje në Sadr City duke u mbështetur edhe nga klerikët antiamerikanë të Muqtada al-Sadr. Në lagjen shiite njerëzit kishin marshuar në kërkim të lirimit të gazetarit, kundër marrëveshje irako-amerikane dhe pro tërheqjes së shpejtë të trupave amerikane. Ata bërtisnin se trupat amerikane duhet të dalin jashtë. “Nëse ne do të na mbarojnë municionet ne do t’ju godasim me këpucë”, thanë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›