E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha akuzon Ramiz Alinë: “Nuk lejoi gjakderdhjen se kishte frikën e tij”



Kryeministri Berisha mori pjesë dje në çeljen e ekspozitës në Muzeun Historik Kombëtar, në kujtim dhe nderim të viktimave të shkaktuara nga diktatura komuniste në Shqipëri. Ekspozita bëri publike dokumente dhe foto tronditëse që dëshmojnë përndjekjet, gjyqet e manipuluara, ekzekutimet barbare dhe vuajtjet e pafundme të ish-të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha bëri thirrje për të nderuar qëndresën e pamposhtur të dhjetëra e mijëra shqiptarëve, të cilët mbajtën të gjallë shpresën gjatë regjimit komunist. Por Berisha gjeti rastin të denigrojë figurën e pasardhësit të Hoxhës, Ramiz Alisë. “Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Ramiz Alia atë ditë nuk e përgjaku Shqipërinë. Por ata gabojnë. Mendoni pak dhjetëra e qindra djem e vajza të vrarë në kufijtë e Shqipërisë në vitin 1990. Frikacaku nuk guxoi, sepse populli rumun u kishte dhënë një leksion të shkëlqyer diktatorëve dhe ai e dinte mirë këtë. Pra, ai nuk e bëri këtë për të kursyer qytetarët e Tiranës, sepse ai nuk i kurseu të rinjtë që deshën të largoheshin nga Shqipëria, pasi u hoq neni i tradhtisë së lartë për largim nga vendi. Ai kurseu lëkurën e tij dhe të “busteve” të tjera të gjalla që u përmbysën më 20 shkurt”, - është shprehur Berisha. Kryeministri gjithashtu komentoi dhe ligjin e pezulluar për hapjen e dosjeve duke u shprehur se pezullimi i tij u bë nga autorët e krimeve të komunizmit. Berisha gjithashtu premtoi se procesi i hapjes së dosjeve është një proces që do të realizohet në Shqipëri.
“Më duhet të theksoj jo pa dhimbje se në disa aspekte ne jemi vetëm në fillimin e një procesi të dënimit të krimeve kundër njerëzimit, proces jetik dhe i domosdoshëm për paqen sociale të këtij kombi, për fisnikërimin, për virtytet, për moralin e tij. Sot, sërish, pas 18 vitesh, ata, të cilët shërbyen si hanxharë të diktaturës, që urdhëruan dhe firmosën varje dhe zvarritje, janë në segmente të caktuara të pushtetit. Unë e di se te ju dhe te mbarë shqiptarët ka krijuar një brengë të thellë fakti i pezullimit të ligjit të lustracionit nga një grup personash në konflikt të plotë interesi, subjekt parësor i veprimit të ligjit. Por sërish, duke mbetur të vendosur në këtë proces, kërkoj dhe ju ftoj të keni mirëkuptim. Ky proces është i pandalshëm, është i parikthyeshëm, ai do të ecë gjithnjë brenda rregullave të shtetit ligjor”, - është shprehur Berisha. Në këtë aktivitet përkujtimor ishte e pranishme edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë fjalës së saj, ajo tha se “20 shkurti është një ditë që në memorien tonë na kujton përqethjet që kemi përjetuar, duke parë jo vetëm rrëzimin thjesht të një busti, por rrëzimin e një miti monstruoz, përfundimin e një diktature, të historisë më të zezë që ne si shqiptarë kemi pasur në historinë tonë dymijë vjeçare”. Gjatë kumtesës së saj, kryetarja e Kuvendit shpjegoi se Parlamenti po kryen përpjekje të rëndësishme që t'i japë dimensionet që meriton historisë së dhimbshme të persekutimit dhe kalvarit të gjatë të vuajtjeve të elitës dhe të mijëra shqiptarëve nga regjimi i egër i diktaturës.

21 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›