Rizvanolli: “Liga e Europës kalon nga Apolonia”
Golashënuesi më i mirë i deritanishëm i Shkumbinit, Erjon Rizvanolli (6 gola në 15 ndeshje të aktivizuara), ishte autori i golit të parë në fitoren 2-0 të peqinasve kundër Apolonisë në fazën e parë, pikërisht në debutimin si trajner në kampionatin shqiptar të futbollit të serbo-boshnjakut Esad Karishik.
“Ndihem më mirë fizikisht dhe ditë pas dite po shkoj drejt 100 përqindëshit tim, por normalisht që duhet dhe pak kohë të jem plotësisht për 90 minuta të plota”, - tha për Albania-sport.com, sulmuesi 27-vjeçar, ish-lojtar i shtatë skuadrave të ndryshme në Shqipëri (Tirana, Dinamo, Partizani, Shkumbini, Elbasani, Egnatia, Kastrioti). Rizvanolli, një ish-lojtar i Kombëtares U-21, e vlerëson si të vështirë takimin në “Loni Papuçiu’, edhe pse Shkumbini në ndeshjen e fazës së parë fitoi 2-0 me Apoloninë.
“Është një ndeshje e rëndësishme për ne, por e vlerësoj si shumë e vështirë. Apolonia luan në shtëpi dhe skuadrat në fushën e tyre janë më të rrezikshme. Nga ana tjetër dua të them se Apolonia (vendi i 8-të) ka bërë një ekip të mirë dhe, me sa di, nuk humbet në Fier prej tri ndeshjesh”, - theksoi Rizvanolli, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për dy klube të huaja, NK Zagrebit (8 ndeshje) në Kroaci dhe Tatabanja (6 ndeshje) në Hungari. “Gjithsesi, ne do të shkojmë për fitore në Fier. Jemi në vendin e katërt pas 20 javësh kampionat dhe të gjithë shpresojmë të paktën ta mbyllim kampionatin në këtë vend, që të kemi shans edhe të luajmë në Ligën e Europës, çka do të ishte edhe kulmi i ekipit tonë dhe i tifozerisë së saj të jashtëzakonshme. Janë bërë shumë shpenzime këtë vit”, - përfundoi Erjon Rizvanolli, i cili personalisht gjatë pesë sezoneve me fanellën bardhekaltër ka shënuar në total 38 gola (84 ndeshje).
Duro: “Për Partizanin nuk ka ndeshje të lehta”
Partizani është gati për takimin e rëndësishëm të kësaj jave, atë ndaj Besës. Skuadra e kuqe vjen në këtë takim pas humbjes minimale në Peqin ndaj Shkumbinit 1-0, edhe pse me Gjylen të dëmtuar, trajneri Duro shpreson që skuadra e tij të marrë maksimumin nga kjo sfidë, pavarësisht se kundërshtari është shumë i fortë dhe po kalon një moment krize. Trajneri i Partizanit tha se skuadra e tij është duke u stërvitur intensivisht dhe nuk i trembet Besës. “Unë e kam thënë gjithmonë që për ne çdo ndeshje ka rëndësinë e tri pikëve që kemi në tabelë. Për Partizanin, nuk ka ndeshje të lehta apo të forta, pasi ne na duhen pikët dhe mbi të gjitha fitorja. “Kemi përballë një kundërshtar që ndodhet lart në renditje dhe që pretendon zonën e UEFA-s (Ligën e Europës), kështu që vlerësimi është maksimal dhe kemi punuar shumë gjatë kësaj jave për të qenë plotësisht gati për këtë takim. Mendoj se Partizani ka potencialin e duhur për të marrë, pse jo, tri pikë”. Gjatë stërvitjes së sotme Duro ka pasur të gjithë lojtarët e gatshëm me përjashtim të Gjylës, i cili ka ndjekur nga afër stërviten. Ndeshja Partizani-Besa do të luhet ditën e shtunë dhe është e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore. Në fazën e parë (java 10) Besa e Partizani nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0. Partizani ishte atëherë i fundit (7 pikë), ndërsa Besa e pesta (16 pikë).
Mehdi Bushati, “Nderi i futbollit shqiptar”
Federata Shqiptare e Futbollit nderoi ish-futbollistin e Dinamos e Kombëtares, Mehdi Bushati, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij për kontributin e tij në sport dhe në futboll në veçanti, gjatë një ceremonie të shoqëruar me një drekë miqsh në hotel “Tirana International”, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të Federatës, ish-sportistë, bashkëkohës të Bushatit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ai i cili i dorëzoi ish-kreut të Komitetit Shtetëror të Sportit dhe pllakatën e mirënjohjes, “Nderi i futbollit shqiptar”, si dhe një fanellë të Kombëtares shqiptare. Edhe kreu aktual i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Hysen Domi, vlerësoi kontributin e Mehdi Bushatit, i cili ka qenë prej dhjetë vite (1979-1989) kryetar i Komitetit Olimpik të Shqipërisë, duke i dhënë pllakatën “Mirënjohja olimpike”.
Mehdi Bushati ka qenë kampion me Dinamon në sezonin 1960, 1966-1967, 1979-1980. Të famshëm janë golat e tij në fitoren 2-3 në ndeshjet ndërkombëtare me Diamonn. Ato në transfertë të Dinamos sonë me Dinamon e Bukureshtit (11.03.1962) dhe dygolëshi i tij në barazimin 2-2 me Levskin e Sofjes në Bullgari (22.03.1962) për Kupën Ballkanike të Klubeve, edicionin 1961-1962. Kundër bullgarëve të Levskit Bushati ka shënuar edhe në barazimi 1-1 (14.07.1964), por për Kupën Ballkanike të Klubeve për edicionin 1963-1964. Si lojtar i Kombëtares, sulmuesi shtatshkurtër Mehdi Bushati ka zhvilluar 6 ndeshje ndërkombëtare, por ka qenë në formacioent e para historike të kompeticionevë të mëdha. Shkodrani Bushati ka luajtur kundër Bullgarisë (0-1, 02.06.1963) në kualifikueset e Lojërave Olimpike. Mehdi Bushati ka qenë pjesë e formacionit shqiptar në ndeshjen e parë ndërkombëtare të Kombëtares sonë për kualifikueset e Kampionatit Europian 1964, ajo kundër Danimarkës të humbur 4-0, më 29.06.1963, si dhe ishte në formacionin e hedhur nga legjenda Loro Boriçi në fitoren e parë të Shqipërisë në Europë, në atë 1-0 të bujshëm kundër danezëve falë golit të Panajot Panos (30.06.1963). Bushati është gjithashtu ka mbetur në historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar në eliminatoret e Kampionatit Botëror, atë kundër Holandës (të humbur 2-0), më 24.05.1964 në Roterdam, ashtu si dhe në atë të humbur në Tiranë, po 0-2 (25.10.1964). Bushati ka qenë pjesë e një plejade të shquar lojtarësh si Panajot Pano, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Niko Xhaçka, Mexhit Haxhiu, Medin Zhega, Robert Jashari etj.
Java 21, ndeshjet, gjyqtarët, statistikat
Për ndeshjen e “problematike” Bylis-Teuta, të vlefshëm për javën e 21-të të Kategorisë Superiore në short ishin dy gjyqtarët ndërkombëtarë Albano Janku e Sokol Jareci, por goglat përcaktuan Jarecin. Lorenc Jemini u zgjodh jo nga shorti, por me konsensusin paraprak të dy klubeve. Ja dhe statistikat e gjyqtarëve sipas ndeshjeve.
VLLAZNIA-LUSHNJA
Remzi Sadiku (3 ndeshje këtë sezon) i kolegjiumit të Lezhës do të drejtojë ndeshjen Vllaznia-Lushnja. Gjatë këtij sezoni gjyqtari Sadiku e ka drejtuar Vllazninë në fitoren 1-0 kundër Flamurtarit. Asnjë precedent të mëparshëm me Lushnjën.
TIRANA-ELBASANI
Tanushi Latifi (8 ndeshje këtë sezon) është “bilbili” i kësaj sfide tërheqëse. Gjirokastriti për rastësi ka drejtuar edhe në fazën e parë Elbasani-Tirana (1-0). Elbasanin e ka drejtuar dhe një herë tjetër në takimin Bylis-Elbasani 1-1.
PARTIZANI-BESA
Mentor Sopjani(4 ndeshje këtë sezon) është “xhaketa e zezë” e ndeshjes Partizani-Besa të javës së 21-të Superligës. Gjyqtari i kolegjiumit të Durrësit ka gjykuar në këtë sezon Besa-Elbasani 1-0, ndërsa nuk e ka drejtuar asnjëherë Partizanin.
FLAMURTARI-DINAMO
Lorenc Jemini (11 ndeshje) u zgjodh jo nga shorti, por me konsensusin paraprak të dy klubeve. Jemini e ka drejtuar më parë 2-herë Flamurtarin kundër Partizanit (1-0) dhe Tiranës (2-0). Jemini i ka drejtuar 4-herë blutë: Besa-Dinamo (0-0), Shkumbini-Dinamo (0-0), Vllaznia-Dinamo (0-1), Dinamo-Tirana (2-4).
APOLONIA-SHKUMBINI
Kridens Meta (12 ndeshje këtë sezon) do të drejtojë një sfidë jo të lehtë si Apolonia-Shkumbini. “Xhaketa” tiranase ka drejtuar më parë Apoloninë 2-herë: Apolonia-Flamurtari (1-1) dhe Apolonia-Vllaznia (1-2). Edhe Shkumbinin e ka drejtuar 2-herë: Flamurtari-Shkumbini (0-0) dhe Besa-Shkumbini (2-0).
BYLIS-TEUTA
Sokol Jareci (11 ndeshje) është “gjykatësi” me stemë ndërkombëtare i takimit Bylis-Teuta, ku presidentët e dy klubeve e kanë akuzuar ashpër Sektorin e Garave për ndëshkime të qëllimshme nga gjyqtarët. Jareci (nuk gjykon nga 20.12.2008) ka gjykuar Bylisin në humbjen 4-1 me Shkumbinin, ndërsa Teutën në dy raste: Teuta-Apolonia (2-1) dhe Teuta-Besa (0-1).
E Para, Java 18: ndeshjet dhe gjyqtarët
Dy supersfidat e Kategorisë së parë, që vendosin përballë katër skuadrat që udhëheqin kampionatin shqiptar të këtij niveli, ato Kastrioti (vendi i 3-të)-Skënderbeu (1) dhe Laçi (2)-Gramozi (4), do të gjykohen respektivisht nga lezhjani Edvin Hoxha dhe tiranasi Bardhyl Pashaj.
Kategoria e Parë
Java 18
21.02.2009
Laçi-Gramozi (Bardhyl Pashaj)
Kastrioti-Skënderbeu (Edvin Hoxha)
Burreli-Naftëtari (Ardian Beqiri)
Dajti-Tërbuni (Ardian Rama)
Luftëtari-Sopoti (Arianit Lulaj)
Ada-Besëlidhja (Kreshnik Hakrama)
Skrapari-Pogradeci (Arben Nasse)
22.02.2009
Bilisht S.-Turbina (Laver Alla)
20 Shkurt 2009