Berisha ironizon Ramën gjatë përurimit të mbikalimit të Kamzës
Kryeministri Sali Berisha ka gjetur rastin të ironizojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama, gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve në mbikalimin në Kthesën e Kamzës. Berisha tha se, megjithëse ky është një investim i rëndësishëm për kryeqytetin, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është i pranishëm në ceremoni. Mbikalimi i kthesës së Kamzës është investim i financuar nga një kredi e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me vlerë 7 milionë euro. “Pavarësisht se kjo vepër e bën kryeqytetin e Shqipërisë me hyrjen e tij europiane, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të saj. Tirana sot e tutje, ka një hyrje moderne, ka një hyrje si çdo metropol i madh europian, por kjo vepër është një lehtësim i madh i trafikut nga Durrësi, Fieri Vlora, Lushnja, Berati dhe mbarë Shqipëria e Jugut, është lehtësim i madh i gjithë trafikut nga mbarë veriu i vendit për të hyrë në Tiranë”, është shprehur Berisha. Duke nënvizuar se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, kryeministri shprehu angazhimin se zinxhiri i përurimeve do të mbyllet me ndërtimin e një rrjeti rrugor modern europian në Shqipëri. “Ky është një premtim i mbajtur i qeverisë time. Në një hark kohor të shkurtër ne kemi inauguruar një seri veprash publike shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve shqiptarë, dhe ju siguroj se zinxhiri i inaugurimeve të kësaj qeverie do të mbyllet me ndërtimin e plotë në Shqipëri të një rrjeti rrugor modern europian”, tha Berisha.
Austria jep mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE
Austria do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Këtë e bëri të ditur, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme austriake Johannes Kyrle, i cili zhvilloi dje një takim me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Bashën. Gjatë bisedimit të dy palët vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy vendet. Ministri Basha, nga ana e tij, ka shprehur vlerësimin e lartë për mbështetjen që Austria i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Ministri Basha dhe Kyrle ndanë të njëjtin mendim lidhur me zhvillimin intensiv që kanë njohur marrëdhëniet dypalëshe duke nënvizuar në veçanti bashkëpunimin ekonomik dhe interesimin gjithnjë në rritje që biznesi austriak po tregon ndaj Shqipërisë. Kyrle pohoi se prania austriake në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve në Shqipëri është një sinjal inkurajues për kompanitë austriake që të investojnë në Shqipëri. Një tjetër çështje që u trajtua gjatë takimit ishte edhe lëvizja e lirë dhe procesi i liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Të dy bashkëbiseduesit ishin të të njëjtit mendim se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu Kosovën dhe Serbinë, është mënyra e vetme për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij rajoni. “Austria, do të vazhdojë të angazhohet fuqimisht për integrimin sa më të shpejtë të gjithë vendeve të rajonit në BE”, është shprehur Kyrle.
Komisioni i Ligjeve miraton buxhetin suplementar, opozita voton kundër
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje projektligjin mbi buxhetin suplementar prej 270 milion dollarësh. Deputetët e opozitës votuan kundër këtij projekti duke tërhequr vëmendjen për fondet e pamjaftueshme që ka në dispozicion Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre mungesa e fondeve për këtë institucion të rëndësishëm mund të pengojë ecurinë e dy proceseve shumë të rëndësishme që po ndjek aktualisht Prokuroria e Përgjithshme, hetimin për Gërdecin dhe hetimin për abuzimet me Rrugën Durrës-Kukës. Deputetët e opozitës gjithashtu kërkuan rritje të fondit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe fondit për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Ndërsa zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu i pranishëm në komision u shpreh se ky buxhet vjen në parlament si rezultat i performancës së mirë në administrimin e të ardhurave, dhe si rezultat i korrigjimit të nivelit të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes. “Kemi shtuar burimet financiare me rreth 20 miliard lekë, 14 miliard prej të cilave i përkasin tejkalimit të realizuar nga të ardhurat tatimore, ndërsa rreth 6 miliard lekë janë nga të ardhurat jo tatimore”, tha Shehu, ndërsa shtoi se pjesa më e madhe e buxhetit do të përdoret për investime. “Pjesa më e madhe e fondeve të këtij buxheti shkon për investime”, është shprehur zëvendësministri i financave.
Ligji i spiunëve, Bumçi: Kemi gati draftin përfundimtar
Demokratët kanë gati draftin përfundimtar i cili pritet të marrë konsensusin ose jo të socialistëve për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë . E reja në këtë draft, në ndryshim me atë të 2006-s, është pika që parashikon lënien në mes të mandatit në rast se vërtetohet që zyrtari i lartë ka papajtueshmëri me postin që mban. Në ligjin e ri është hedhur poshtë neni 18 që parashikonte verifikim të kandidatëve vetëm pasi të fitonin postin. Relatori Aldo Bumçi sqaron se drafti është në thelb ai i vitit 2006, por janë përfshirë dhe disa amendamente të deputetit Fatos Hoxha dhe Aleksandër Biberaj. Sipas draftit përfundimtar të hartuar nga deputeti demokrat Aldo Bumçi të gjithë kandidatët për deputetë, apo për poste drejtuese në pushtetin vendor, apo për poste në administratën shtetërore do të verifikohen paraprakisht, para se të kandidojnë, të zgjidhen apo të emërohen. Në projektin e demokratëve të depozituar në Kuvend në vitin 2006 ishte parashikuar që verifikimi për pastërtinë e figurës të bëhej pasi individi të ishte zgjedhur në një post të caktuar. Bumçi shton se ende nuk është marrë përgjigje nga socialistët, të cilët po shqyrtojnë projektin e hartuar. Qëndrimi i tyre pro ose kundër tij, pritet të bëhet publik në komisionin e ligjeve për ta përmbyllur miratimin e tij brenda korrikut.
18 Korrik 2008