E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha anashkalon akuzat e aleatëve ndaj PD-së për reformën zgjedhore

Lideri i maxhorancës, Sali Berisha, ka zgjedhur anashkalimin e debatit sesa komentin apo zgjidhjen e tij përsa i përket reformës zgjedhore. I ftuar në një diskutim nga Instituti Demokratik Amerikan, mbi përfshirjen e mëtejshme të grave në vendimmarrje politike, kryeministri Berisha la të nënkuptuar se ende nuk ka një qëndrim për reformën. Berisha u shpreh se ka një komunikim të vazhdueshëm me aleatët. “Unë komunikoj nga mëngjesi në darkë me të gjithë aleatët e mi dhe me të gjithë faktorët e këtij vendi. Unë nuk mbyll kurrë komunikimin. Komunikimi mund të quhet një dhunti e imja”, - iu përgjigj pyetjes Berisha në lidhje me akuzat e aleatëve se lobe brenda PD-së po përpiqen të eliminojnë partitë e vogla nga skena politike. Ndonëse edhe aleatët më të afërt të kryeministrit Berisha, si republikanët, kanë bërë akuza për grupe individësh në PD që janë kundër reformës zgjedhore, Berisha preferoi të vërë theksin te pjesëmarrja e grave në politikë. “Unë mendoj se një kuotë minimale 30 % si hap i parë është i domosdoshëm. E shfrytëzoj këtë rast për t`u bërë thirrje liderëve politikë të forcave politike të mëdha dhe të vogla, sepse të voglat përbëjnë 1/3 e elektoratit dhe parlamentarëve, që kjo kuotë të respektohet në mënyrë rigoroze. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të vendoset kjo kuotë. Ajo nuk do të mund të rikthehet nëse vendoset, por do të njohë progres më të madh dhe nivele më të larta. Është shumë e rëndësishme që kuota të funksionojë në të njëjtën mënyrë dhe për universitetet. Universitetet tona kanë pedagogë të shkëlqyer, por në këtë kuadër zgjedhjesh duhen evituar praktikat populiste. Gratë dhe vajzat nga vetë praktika e tyre e kanë të vështirë të adaptojnë praktika populiste”, - tha Berisha në forumin e Institutit Demokratik Amerikan. Në lidhje me garantimin e pjesëmarrjes së grave në politikë, kryeministri Berisha tha se fillimisht portat për gratë do të hapen nga PD-ja dhe i bëri thirrje aleatëve të tij të bëjnë të njëjtën gjë. “Duhet të jenë ligjore sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset duke i rezistuar presionit të jashtëzakonshëm zemërthyerjeve që krijohen, vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të ecim drejt një shoqërie moderne të shkëputur nga kodet e vjetra dhe folklorizmi, e vendosur denjësisht në gjirin e shoqërive të zhvilluara. Ndaj, unë ju garantoj se në Kodin e ri Zgjedhor, ua kam bërë të qartë edhe aleatëve të mi, unë do të bëj të gjitha përpjekjet dhe në Partinë Demokratike unë do ta instaloj normën e përcaktuar me ligj dhe do të respektoj ligjet e vendit”, - përfundoi Berisha.

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›