Braçe: “Presidenti mban peng Gjykatën Kushtetuese”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, akuzoi Presidentin e Republikës Bamir Topi se po përpiqet që të ndikojë dhe të ketë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese. Këtë deklaratë Braçe e ka bërë nisur nga hezitimi i presidentit për të dekretuar anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese. “Presidenti Topi po ndikon në proceset vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese. Jemi të shqetësuar që presidenti vazhdon ta kërkojë këtë votë për çështje të caktuara. Që në datën 18, që është dhënë pëlqimi nga Kuvendi për dekretin e Presidentit të Republikës, Vitore Tusha duhet të jetë në detyrë, anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Së dyti, që prej 15 muajsh dhe më së paku prej 10 ditësh, zoti Kristofor Peçi nuk duhet të ushtrojë më detyrën e anëtarit të Kushtetueses. Dhe së treti, presidenti duhet të ndalojë ndërhyrjen e tij në çështjet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese siç është dhe rasti në fjalë”, - tha deputeti socialist Erion Braçe.
3 Mars 2008