Penalizime për bizneset që mashtrojnë apo kopjojnë reklamat
Qeveria, projektligj të ri për mbrojtjen e konsumatorit. Ripërcaktohen praktikat e pandershme të tregtimit
Erald Kapri
Shpirti i biznesit konsiderohet promovimi i tij ose e thënë ndryshe reklama. Ndonëse mediat tejmbushen me reklama që paraqesin deri diku të paarritshmen, kufiri mes informimit dhe naivitetit në promovimet e shumta ende nuk është e përcaktuar qartë dhe për këtë në Perëndim dhe SHBA ka një debat të nxehtë. Çfarë kufijsh duhet të kenë këto publicitete? Kjo është çështja që debatohet në Perëndim. Ndërsa në SHBA rregullat e promovimit pothuajse nuk ekzistojnë, me idenë se nuk duhet të ndalet kreativiteti i biznesit, në Bashkimin Europian ka një ligj për mbrojtjen e konsumatorit që ndalon reklamat, të cilat dezinformojnë, kopjojnë bizneset rivale apo gënjejnë për produktet e tyre. Shqipëria duket se i është ngjitur Bashkimit Europian në këtë çështje. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit një projektligj të ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”, ku ripërcakton nga e para praktikat e tregtimit, ku ndalon reklama me tone jo të sinqerta. Ajo që duket si pozitive në këtë projektligj, i cili vë theksin te konsumatorët, pritet të ketë një reagim jopranues nga komuniteti i biznesit. Projektligji i ri ka vendosur detyrime të reja për tregtarët dhe bizneset shqiptare, të cilat duhet të mbajnë përgjegjësi si shitëse të produkteve apo shërbimeve deri në dy vite për sigurinë apo cilësinë e produktit të tyre. Njëkohësisht, thyerja e këtyre praktikave të reja do të thotë penalizime të ashpra. Zbatimi i këtyre direktivave të reja do të bëhet nga një institucion i ri, i cili do të varet nga Ministria e Ekonomisë, por me përfaqësues ekspertë edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe do të quhet Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe do të përbëhet nga pesë ekspertë.
Projektligji i ri
Projektligji i ri ka një strukturë të përbërë nga 10 pjesë. Në pjesën e parë jepet objekti, fusha e zbatimit, si dhe përkufizimet në përputhje me legjislacionin përkatës europian, ku janë përcaktuar të drejtat e konsumatorëve, si dhe organet përgjegjëse për mbrojtjen e tyre. Pjesa e dytë e projektligjit parashikon sigurinë e shërbimeve për konsumatorët, si dhe përgjegjësinë e prodhuesit ndaj të metave të mallit. Pjesa e tretë përcakton detyrimet e tregtarëve për t’u siguruar konsumatorëve informacionin e përgjithshëm në lidhje me mallin apo shërbimin në gjuhën shqipe si dhe karakteristikat e këtij informacioni siç janë natyra e mallit, marka ose çdo shenjë dalluese e fabrikuesit, importuesit, identiteti i tyre, çmimi, sasia, rreziqet që lidhen me mallrat apo shërbimet dhe kur ato janë të kuptueshme pa paralajmërimin përkatës etj.
Praktikat e tregtimit, reklama
Publiciteti trajtohet si mënyrë e veçantë në praktikat tregtare. Projektligji ndalon publicitetin çorientues, të pandershëm, krahasues etj. dhe detyron përgjegjësi për subjektet që promovojnë mallra apo shërbime njëkohësisht edhe agjencive publicitare. Pjesa e katërt e projektligjit përcakton praktikat e reja të tregtimit. Fillimisht u vihet theksi dhe përcaktohen praktikat e padrejta tregtare, të cilat bëjnë që konsumatori të marrë një vendim që në të kundërt nuk do ta kishte marrë dhe veçanërisht në mënyrë të detajuar se kur ato konsiderohen të tilla. Në këtë kuadër, jepen dhe detyrime të tjera në lidhje me paraqitjen e të dhënave të tregtarit, uljet e çmimeve, shitjet promocionale etj. Gjithashtu në këtë pjesë janë listuar edhe praktikat tregtare të pandershme, të cilat përbëjnë një risi ose diçka të re për vendin tonë dhe për mënyrën e funksionimit të biznesit në vendin tonë.
Furnizimi, shitjet, kontratat
Një pjesë e projektligjit përcakton edhe kushtet e padrejta në kontrata dhe përputhjen kontraktuale. Njëkohësisht listohen të gjitha rastet e kushteve të padrejta në kontrata. Projektligji përcakton detyrimin e shitësit për të dorëzuar te konsumatorët mallra që janë në përputhje me kontratën. Gjithashtu trajtohen kushtet kur malli prezumohet në përputhje me kontratën, afatin prej dy vitesh nga dorëzimi i mallit, brenda të cilit shitësi është i detyruar të përgjigjet dhe të dëmshpërblejë konsumatorët për mospërputhjet e konstatuara si dhe detyrimi i deklaratës së garancisë kontraktuale. Njëkohësisht vendosen dy format e posaçme të shitjes dhe furnizimit si kontratat e lidhura jashtë qendrave tregtare dhe kontratat në largësi. Parashikohen gjithashtu fushat e zbatimit si dhe detyrimet e përgjithshme dhe të veçanta të tregtarit gjatë këtyre lloj marrëdhënieve. Kushtet në mënyrë më të specifikuara do të bëhen me një tjetër vendim të veçantë të qeverisë.
3 Mars 2008