Prifti: “Në mëshirë të fatit punonjësit e industrisë së naftës”
Nënkryetari dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, ka denoncuar vendimin më të fundit të qeverisë shqiptare për të larguar nga puna 1700 punonjës të industrisë së naftës, pas ristrukturimit të ARMO-s dhe ALPETROL-it. Prifti tha se qeveria nuk mund të mjaftohet vetëm duke u siguruar pagën e një viti këtyre punonjësve. “Një vit pagesë që do t’i japë qeveria këtyre punonjësve që do të largohen nga puna nuk është i mjaftueshëm. Ne shohim që politikat ekonomike të qeverisë për të rritur punësimin në këto zona janë pothuajse inekzistente”, - tha nënkryetari i LSI-së. Ai kërkoi nga qeveria që t’u japë punonjësve në fjalë statusin e naftëtarit. “Unë mendoj se në këtë rast, kur bëhet fjalë për largimin e këtyre punonjësve, qeveria duhet të investohet menjëherë për të fituar statusin e naftëtarit. Sepse kjo është një industri ku kanë punuar me mijëra punonjës në vite dhe për këtë arsye duhet pa tjetër që kjo kategori të fitojë statusin e naftëtarit ose edhe të shikohet mundësia që ata të jenë aksionarë duke i dhënë atyre një përqindje të caktuar të aksioneve për kontributin e tyre për vite më radhë”, - deklaroi nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti.
3 Mars 2008