E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ankohet tek Moisiu për PS

18/06/2005  Kreu i shtetit nis takimet me kryetarët e partive parlamentare

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka nisur takimet me krerët e partive parlamentare që konkurrojnë për zgjedhjet e 3 korrikut. Dje, selinë e kreut të shtetit e ka vizituar kryetari i PD, Sali Berisha. Ndërsa zyra e Presidentit ka planifikuar një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, në fillim të javës të ardhshme. Në axhendë janë dhe bisedimet me kryetarë të subjekteve politike, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje. Po dje, kreu i shtetit është takuar dhe me përfaqësues të shoqatave joqeveritare në vend, të cilat do të kenë vëzhgues në zgjedhjet e 3 korrikut. Mësohet se Presidenti i ka kërkuar drejtuesve të shoqatave që vëzhguesit të tregohen të kujdesshëm e të mos bien pre e presioneve nga cilido kah qofshin ato.

Berisha

Gjatë takimit me kreun e opozitës, Moisiu është njohur me shqetësimet që kanë këto ditë të fushatës elektorale partitë opozitare përballë mazhorancës socialiste. Në respektim të Kodit të Etikës dhe Kodit Zgjedhor, kreu i shtetit mësohet t'i ketë premtuar Berishës se do t'i kushtojë vëmendjen e duhur të gjitha çështjeve shqetësuese të procesit. Kreu i opozitës shqiptare ka paralajmëruar Presidentin se disa nga mekanizmat që po përdoren nga socialistët janë për të krijuar probleme në shumë zona zgjedhore. Gjatë bisedës janë trajtuar çështje që lidhen me situatën zgjedhore në vend, ku mësohet se kreu i PD-së ka denoncuar shumë probleme në zona të ndryshme të vendit, si tentativa vjedhje të votës, dëmtim imazhi të kandidatëve të opozitës, përdorim fondesh shtetërore për fushatë etj. Gjithashtu, Berisha ka theksuar se forca politike, që ai përfaqëson është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të zhvilluar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe se vlerëson përpjekjet e Presidentit dhe qëndrimet e tij për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

OJQ

Gjatë takimit me përfaqësues të shoqatave joqeveritare në vend, Presidenti i Republikës ka vlerësuar faktin që në zgjedhjet e 3 korrikut do të ketë një pjesëmarrje të lartë të numrit të vëzhguesve shqiptarë. Përfaqësuesit e shoqatave Koalicioni Antikorrupsion, Shoqata për Kulturë Demokratike, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti për Zgjedhjet kanë vënë në dukje se një numër i madh prej 3300 vëzhguesish të pavarur do të jenë të pranishëm në të gjitha prefekturat, me një mbulim 60% të qendrave të votimit dhe të numërimit, duke i monitoruar cilësisht dhe nëpërmjet një sistemi koordinatorësh do të informojnë publikisht ecurinë e procesit. Duke vlerësuar vëzhguesit shqiptarë në këtë zgjedhje, Moisiu tha se “duke patur vëzhgues shqiptarë, krijojmë një traditë pozitive dhe një kontigjent njerëzish të aftë profesionalisht për të marrë përgjegjësi edhe në të ardhmen. Më 2006 kemi zgjedhje lokale, kështu që vëzhguesit tuaj do të kenë rastin ta përdorin dhe rrisin nivelin e punës së tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›