E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri ndan orën e markës "NANO TIME"

18/06/2005  Ministri i Rendit ndjek garën, në fushën e orës foto e Toskës

"Nano Time“, është marka më e re e orës së dorës, që ka dalë ditët e fundit në qarkullim. Ora është prodhur për një numër të kufizuar personash, dhe kjo për ata që janë "miq“ të Kryeministrit Fatos Nano. Koleksionit të ashtuquajtuarve sende elektorale tashmë i shtohet dhe ora me emrin e kryetarit të Partisë Socialiste, i cili këtë orë ka nisur t'ia dhurojë dashamirësve të tij. Ndërkohë, të njëjtën mënyrë reklamimi për fushatën elektorale ka përdorur dhe ministri i Rendit Publik, Igli Toska, i cili është kandidat në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Ora elektorale e ministrit në fushën e saj ka fotografinë e Toskës dhe ka filluar të shpërndahet në zonën e tij elektorale. Kreu i qeverisë markën “Nano Time” të orëve jua ka falur personave, të cilët ai ka afrimitet dhe dhurata është shpërndarë në mitingje, apo festime të ndryshme, që ka organizuar Partia Socialiste ditët e fundit. Ndërkohë që çakmakë, bluza, kapele, stilolapsa, dhe deri tek autobusët jemi mësuar të shohim shpesh në këto ditë fushate elektorale me emrat dhe reklamat elektorale të kandidatëve për deputetë të PS-së. Mania për të krijuar sa më shumë sende të përdorimit të gjerë me reklamë të kandidatëve për deputetë është dukuria që po shoqëron shqiptarët kohët e fundit. Një element tjetër, që të bie në sy në të gjithë qytetet dhe fshatrat e vendit, është sipërfaqet që zënë posterat elektoralë. Ndërsa reklama elektorale që kushton më shumë ngelet ajo nëpër televizione apo gazeta, për të cilën shumë kandidatë për deputetë kanë ditur të bëjnë investimin e duhur për t'u njohur nga publiku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›