E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha anullon vizitën e 26 Majit në Shkup

TIRANE-Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka anuluar vizitën e paralajmëruar për në Maqedoni më 26 maj. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i punëve të jashtme të Maqedoni, Petar çulev. “Të dy grupet nga shtetet përkatëse po punojnë për gjetjen e një periudhe të përshtatshëm për t’u zhvilluar ky takim. Siç po ecin dhe zhvillimet në muajin maj nuk do të ketë ndonjë vizitë të Berishës në Maqedoni”, tha çulev.

Ai nuk ka pranuar të theksojë se cilat janë arsyet e anulimit të kësaj vizite, ndërsa nuk ka dhënë asnjë informatë se cilin muaj pritet ta vizitojë Berisha Shkupin zyrtar.

Nga kabineti i kryeministrit Sali Berisha nuk është dhënë asnjë informacion pse bëhet anulimi i kësaj vizite, e cila ishte planifikuar që më parë. Mësohet se përgjigja zyrtare nga Shqipëria dërguar autoriteteve maqedonase ka qenë angazhimi i kryeministrit Berisha në takimet me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare si dhe thellimi i krizës politike mes mazhorances dhe opozitës.
Aktualisht në Maqedoni vazhdon një situatë e tensionuar ndërmjet etnitetit shqiptar dhe maqedonas, për mospranimin e kërkesave të shqiptarëve nga ana e Gruevskit dhe vrasja e katër shqiptarëve disa ditë më parë nga policia maqedonase.

Vetë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, gjatë takimit me Ahmetin e Thaçin në Tiranë kishte apeluar që të ruhet situata e qetë në Maqedoni pasi dhuna nuk i shërben askujt. Nga kabineti i kryeministrit Gruevski nuk eshte dhënë ndonjë sqarim pse nuk realizohet kjo vizitë. Iniciativa për vizitën e Berishën në Shkup ka lindur pas ftesës që ia kishte bërë Gruevski gjatë një takimi joformal në Kranj të Sllovenisë.

(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›