E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Danimarkës: BE e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë

Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, konfirmoi angazhimin e BE-së për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë si dhe vlerësoi hapat e bëra në këtë drejtim. Gjatë një leksioni që zhvilloi me studentët e pedagogët e universitetit Ismail Qemali në Vlorë, ai deklaroi se Shqipëria, do të jetë jo vetëm anëtare, por edhe një vlerë e shtuar e Bashkimit Evropian. Sipas tij, Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të tij, janë të angazhuara për të mbështetur Shqipërinë që të ecë në rrugën e integrimit dhe anëtarësimit. Besoj fort tek e ardhmja e Shqipërisë. Jam i sigurt, që Shqipëria, do të bëhet anëtare e BE-së dhe shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht brenda saj, nënvizoi ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë. Gjithashtu, Jensen u ndal në disa nga drejtimet kryesore dhe në standardet që duhet të përmbushë Shqipëria në këtë drejtim, ndërsa vlerësoi luftën e bërë kundër korrupsionit, duke e ilustruar atë me faktin se gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë hapa përpara, duke u ngjitur dukshëm në klasifikimin përkatës të vendeve që kanë rezultate. Gjatë fjalës së tij, ai veçoi luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e ligjit, si dy faktorët kryesorë, që përcaktojnë ecurinë në rrugën e integrimit dhe përmbushjes së standardeve, ndërsa u shpreh se, pjesë e tyre, është edhe kapaciteti administrativ. Sipas tij, vetëm në kuadrin e procesit të negocimit për anëtarësim në BE, Shqipërisë, do ti nevojiten rreth 1000 punonjës civilë e specialistë që do të angazhohen në të. Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, në Tiranë, Jensen u ndal dhe në punën e mëtejshme në rrugën e vazhdimit të reformave. Brenda këtij konteksti, ai citoi se, procesi i integrimit varet nga ajo që duhet të bëjnë vetë shqiptarët, të cilët, sipas tij, duhet të vendosin nëse duhet të jenë pjesë e BE-së.  Ky leksion, u organizua nga Zyra e Kërkimit Shkencor në Universitetin e Vlorës, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), në kuadër të projektit Forcimi i Rrjetit të Qendrave të Informacionit të Bashkimit Europian në Qytetet Universitare të Shqipërisë, mbështetur nga Delegacioni i Komisionit Europian në Shqipëri, për të drejtat e njeriut, nën dritën e aderimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›