E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj zihet mat; Zyrtarisht drejton ende financat e “Mjaft”



Politikani Erion Veliaj, kandidat në të 12 qarqet e vendet, ende nuk është larguar nga lëvizja “Mjaft”, ndonëse publikisht ai njihet si kreu i partisë G 99. Dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lëvizja “Mjaft” dërgoi një vërtetim gjykate për të akredituar vëzhgues në këto zgjedhje dhe në këtë vërtetim gjykate, Erion Veliaj figuron si kryetar i Bordit të Drejtorëve, posti i lartë i kësaj lëvizjeje, çka e lejon atë të merret me qindra milionat financime që ka kjo lëvizje.

Erion Veliaj qëndron me një këmbë në politikë dhe me një tjetër në botën e OJF-ve. Duket se të ardhmen kreu i lëvizjes G99, ka vendosur ta zgjidhë si kreu i PS-së, Edi Rama, i cili nuk është në listën për deputetë, pasi kërkon të bëhet Kryeministër në rast se fiton zgjedhjet dhe të vazhdojë në këtë status në rast se i humbet ato. Erion Veliaj, duket se nuk kërkon të rriskojë në politikë, pasi edhe pse ka vendosur kandidaturën i pari në listë në 12 qarqet e vendit, ai zyrtarisht është ende drejtuesi i lëvizjes “Mjaft”. Në të njëjtën formë, edhe në rast se Veliaj nuk bëhet deputet, ai do të vazhdojë të drejtojë lëvizjen “Mjaft”, një organizatë nga më të pasurat me donacione.

Ndonëse Veliaj publikisht është tërhequr nga “Mjaft”, zyrtarisht një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Madje vetë lëvizja “Mjaft” e ka vërtetuar një gjë të tillë. Dje kjo lëvizje dërgoi një vërtetim nga Gjykata e Tiranës, që vërteton ekzistencën e kësaj organizate, ku kërkon vëzhgues për zgjedhjet. Por në këtë vërtetim gjykatë, Erion Veliaj rezulton se është ende kryetar i Bordit të Drejtorëve.

Ky vërtetim i cili mban datën 2 qershor të këtij viti, Gjykata e Tiranës, thotë se kjo lëvizje ka katër borde, konkretisht Bordi Këshillimor, Bordi i Drejtorëve, kryetari i Bordit të Drejtorëve si dhe drejtori ekzekutiv. Pas datës 15 shkurt të vitit 2007, Erion Veliaj në këtë lëvizje ka mbajtur dy poste, atë të kryetarit të Bordit të Drejtorëve si dhe të drejtorit ekzekutiv. Më shkurt të vitit 2009, në Gjykatën e Tiranës është regjistruar dorëheqja e Veliajt si drejtor ekzekutiv, por jo si kryetar i Bordit të Drejtorëve. Pra sipas Gjykatës së Tiranës, Veliaj është kryetar i Bordit të Drejtorëve ose drejtuesi i kësaj lëvizjeje pasi mban postin më të lartë dhe kontrollon çdo detaj të “Mjaft”. Ky pozicion i jep të drejtë Erion Veliajt për të kontrolluar organizimin e “Mjaft”-it, të drejtën e kontrollit të financave të kësaj organizate, burimet e financimit, llogaritë bankare, të emërojë apo shkarkojë drejtues ekzekutivë të saj. Njëkohësisht, për postin që Veliaj mban akoma zyrtarisht në “Mjaft”, si kryetar i Bordit të Drejtorëve, përfiton një shumë të ardhurash të caktuara. Veliaj është njëkohësisht drejtues i një lëvizjeje tjetër joqeveritare zyrtarisht, që lobon dhe propangadon politikisht, G99. Ai ka përjashtuar faktin se është në drejtim të “Mjaft”-it zyrtarisht që prej një viti duke krijuar lëvizjen tjetër social-politike G99. Veliaj përfiton ende fonde si organizatë jofitimprurëse, të cilat janë të palejueshme për një parti politike.

G99, festa në lokalet luksoze të kryeqytetit

G99 është një nga partitë më të reja në vend, por ka arritur që të ketë financime që mund të mos kenë krahasime. Fushata po tregon se kjo parti ka financime të konsiderueshme, por që ende për hir të transparencës dhe politikës së re, G99 nuk ka dhënë asnjë shpjegim për fondet e saj. Shumë të rinj, por edhe qytetarë të tjerë shprehen se në telefonin e tyre celular, vijnë herë pas here mesazhe nga kjo forcë politike që i fton ata në festa në lokalet më të njohura të Tiranës. Konkretisht, ditën e enjte, G99 zhvilloi në mbrëmje pas orës 21.00 një festë tepër luksoze në një nga komplekset më të shtrenjta në periferi të kryeqytetit. Erion Veliaj nuk ka dhënë një shpjegim publik në lidhje me financat e G99-s, mënyrën e financimit të saj, shpenzimet dhe burimet e financimit të lëvizjes së tij politike, por që zyrtarisht është një OJF. Shpenzimet e kësaj lëvizjeje kanë qenë të konsiderueshme, duke pasur parasysh financimin e spoteve televizive, takimin me qytetarët, udhëtimet në qytete të ndryshme të vendit për të konstituuar degët e G99-s, organizime me të ftuar të ndryshëm në vendet më luksoze të kryeqytetit, festa në lokalet më të njohura të kryeqytetit etj. Vetëm në një deklarim publik, Veliaj është shprehur se këto të ardhura i kanë ardhur nga shumat e vogla që qytetarët i kanë dhuruar kësaj force politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›