Berisha “bllokon” Topin për të zgjidhur krizën politike
Duket se kryeministri Sali Berisha nuk po pranon që presidenti Bamir Topi të luajë rolin e negociatorit për të zgjidhur krizën politike në vend. Vetëm pak ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me kryetarin e shtetit duke lëshuar një mesazh për Berishën dhe ndërkombëtarët. Nëpërmjet këtij takimi, kreu i Partisë Socialiste tregoi se pranon të përdorë presidentin Topi si ndërmjetës mes tij dhe Berishës për të zgjidhur krizën politike në të cilën ndodhet vendi. Pas takimit të Ramës me Topin u prit nga të gjithë një takim mes Berishës dhe Topit, ashtu sikurse funksionon zakonisht skema e marrëdhënieve politike. Por, një takim i tillë ka munguar duke e lënë situatën të ngrirë dhe pas një rrugëzgjidhje. Pengesë për këtë duket se po bëhet pikërisht kryeministri Berisha, i cili, ndryshe nga Rama, nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për të takuar kreun e shtetit dhe për të treguar se është i hapur të futet në bisedime me opozitën.
Mesazhi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në çdo deklaratë të tij publike për situatën politike në vend është shprehur i hapur për të kontribuar për zgjidhjen e krizës, por ai ka theksuar se duhet të shprehet vullneti i partive politike. Ndërkaq, Partia Socialiste e ka shprehur vullnetin e saj politik se pranon që Presidenti i Republikës të kontribuojë në zgjidhjen e krizës. Këtë e ka bërë publike vetë kreu i PS-së, pas takimit me kryetarin e shtetit në Presidencë. “E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës për t’i shprehur shqetësimin e thellë të opozitës. Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe të çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet të së drejtës; në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë; në kushtet kur kanë rënë të gjitha garancitë dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë dhe të institucioneve që duhet të garantojnë të drejtën e secilit, duke garantuar barazinë përpara ligjit. Pa dyshim që ilustrova shembuj dhe fakte konkrete gjithë sa po ndodh dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liri dhe të drejta kushtetuese, duke luajtur rolin që i takon”, - është shprehur Rama.
Ndërsa presidenti Topi ka theksuar vazhdimisht se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit, në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të Drejtësisë, profesionalizmit dhe efektshmërisë, ndershmërisë dhe paanësisë së gjyqtarëve dhe se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve të shtetit të së drejtës. Ai u ka bërë apel të vazhdueshëm partive politike për të nisur dialogun. “Në respekt të pozicionit të Presidentit, që është kushtetues dhe institucional, bëj apelin e nevojshëm dhe të domosdoshëm në limitin e mosinterferencës te partitë. Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogut, e cila është esenciale për jetën e një vendi”, - është shprehur Topi.
Nga ana tjetër, i gjithë faktori ndërkombëtar, prezent në Shqipëri, bën përgjegjës për situatën e krijuar të dyja partitë politike, si PS-në, ashtu dhe qeverinë. Ndërkombëtarët kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e fillimit të dialogut. Sipas tyre, ka rëndësi se kush e merr hapin e parë: qeveria, apo opozita? E rëndësishme është që të nisë dialogu. Ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë kanë theksuar se ata nuk do të ndërhyjnë në një situatë të tillë, por do të presin që zgjidhja të vijë nga vetë politikanët shqiptarë.
Me gjithë lumin e deklaratave për dialog, me gjithë ftesat e pafundme të përfaqësuesve të qeverisë dhe maxhorancës për kthimin e opozitës në Kuvend, ka munguar një gjest që mund t’i hapë rrugën dialogut, dhe ky mund të ishte një takim i mundshëm mes Berishës dhe Topit.
25 Dhjetor 2009