E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Projektligji për Inspektimin e Ndërtimeve është antikushtetues”

Dy ditë më parë, kryesocialisti Edi Rama i dërgoi një letër dje kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për dijeni dhe Këshillit të Ministrave, në të cilën kërkon mosfutjen për miratim të projektligjit të fundit të qeverisë për inspektimin e ndërtimeve. Në një letër të gjatë prej 5 faqesh, kreu i Partisë Socialiste dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës ka argumentuar se drafti i ri i qeverisë është antikushtetues, shkel parimin e autonomisë vendore, shkel Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe ligjin organik “Për organizimin e pushtetit vendor”. Rama gjithashtu i referohet dhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për konfliktin mes pushtetit qendror dhe atij vendor në rastin e përdorimit të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit për prishjen e nënkalimit të Zogut të Zi. Sipas Ramës, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të pushtetit vendor, dhe ky vendim është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar nga qeveria dhe nga Kuvendi i Shqipërisë. “Referuar projektligjit për inspektimin e ndërtimit dua t’ju vë në alarm për antikushtetutshmërinë e këtij dokumenti, papajtueshmërinë e tij me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe mospërputhjen flagrante me frymën e me përmbajtjen e Ligjit Organik të Pushtetit Vendor”, - shkruan Rama në krye të letrës që i ka dërguar kryetares së Kuvendit, Topalli. Më tej ai thekson se ky projektligj prezanton dispozita, të cilat vijnë në kundërshtim të hapur jo vetëm me parimet kushtetuese të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por edhe me vendime specifike të Gjykatës Kushtetuese dhe me raportet e komisioneve të organeve të Këshillit të Europës, duke sjellë regres të dukshëm në ecurinë e reformës së decentralizimit dhe duke cenuar parimin e autonomisë vendore. Sipas Ramës, projektligji shkel Nenin 13 të Kushtetutës së Shqipërisë, në të cilin parashikohet që qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizimit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore. Ai sjell në vëmendje konfliktin e kompetencave mes qeverisë dhe pushtetit vendor për prishjen e nënkalimit të Zogut të Zi. Sipas Ramës, të gjitha gjykatat në Shqipëri e gjykuan atë çështje në favor të pushtetit vendor duke e konsideruar në kundërshtim me ligjin aktet e ndërmarra nga pushteti qendror. Madje këtë konflikt kompetencash për çështjen e kontrollit mbi territorin dhe inspektoratet e ndërtimit e gjykoi Gjykata Kushtetuese, e cila, me një vendim përfundimtar të formës së prerë dhe të detyrueshëm për zbatim për të gjitha organet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe qeverinë e Kuvendin e Shqipërisë, vendosin qartësisht se kontrolli mbi territorin është çështje vendore. Sipas Ramës, projektligji i ri i qeverisë po synon ta kthejë vendin në të njëjtën situatë konfliktuale si tre vjet më parë.

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›