Berisha cakton Eduard Halimin Avokat të Shtetit
Laureta Rryçi
Tiranë - Zëvendësministrit të Drejtësisë i besohet posti i Avokatit të Shtetit. Ministria e Drejtësisë, pas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, mbetet pa asnjë zëvendësministër. Kabineti “Berisha” ka miratuar emrin e Eduard Halimit në krye të Avokaturës së Shtetit. Pas këtij vendimi Halimi doli dje në një komunikim me median, duke shkrehur konsideratën e tij për postin që i besohej. Posti i Avokatit të Shtetit ishte lënë bosh prej disa muajsh. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë, Eduard Halimi lirohet nga detyra e zëvendësministrit dhe emërohet Avokat i Shtetit.
Vendimi
Vendimi i dy ditëve më i parë i Këshillit të Ministrave ka bërë që zëvendësministri i Drejtësisë të dorëzojë çelësat e zyrës së tij për të marrë një tjetër detyrë. Kësaj radhe i është lënë drejtimi i Avokaturës së Shtetit. Pas një eksperience të gjatë si avokat, Halimit këtë herë i duhet të mendojë si të mbrojë shtetin dhe jo qytetarin. Me largimin e tij, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka mbetur pa zëvendësues. Ish-zëvendësministrit tjetër, Vladimir Kristo, iu besua Gjykata Kushtetuese.
Reagimi
Zëvendësministri i Drejtësisë jo vetëm e ka pritur mirë ndryshimin e postit, por e cilëson si sfidë profesionale dhe personale detyrën e re. "Përfundova me sukses një fazë shumë të rëndësishme të kontributit tim, brenda Ministrisë së Drejtësisë për një kohë rreth 3-vjeçare. Një detyrë e cila nuk mund të ishte e sukseshme pa ndihmën e kryeministrit dhe ministrave të Drejtësisë me të cilët kemi drejtuar këtë minsitri këto vjet”, - tha dje për mediat Halimi. Më tej ai vazhdoi me deklaratën e tij duke u shprehur se qeveria i ka dhënë prioritet Avokaturës së shtetit që të merrte një dimension të ri, duke rritur performancën e saj dhe duke u bërë një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Halimi ka falënderuar kryeministrin për vlerësimin që i bëri duke e emëruar në krye të këtij institucioni, i cili do të zërë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e qeverisë. “Unë shkoj në këtë detyrë për të kryer një reformë të thellë dhe për të krijuar një institucion i cili të jetë institucioni më profesional në Shqipëri. Një intitucion që do të këshillojë qeverinë në çdo moment të jetës së saj dhe do të mbrojë interesat e shtetit para të gjitha institucioneve vendase dhe ndërkombëtare”, - tha Halimi, duke bërë publike alternativat e tij mbi institucionin që i është besuar. Me tej ai u shpreh se dy janë shtyllat konsultative të një shteti, Financat dhe Ligji. Madje ai ka ndër mend të krijojë një studio ligjore që do të jetë konsulentja më e mirë ligjore për të gjitha ministritë.
Krimet e Rënda, ndryshohet akuza, jepet vendimi 2 muaj burg
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar dje Nikolin Gjacin me dy muaj burg. Vendimi ka ardhur pas ndryshimit të kualifikimit të akuzës për të pandehurin. Mbi Gjacin deri pak ditë më parë rëndonte akuza e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë ndërsa gjatë procesit gjyqësor kolegji ka menduar se i pandehuri kishte tjetër pozicion në ngjarje. Gjaci u arrestua pak kohë më parë dhe sipas policisë ai iu kishte vënë gjobë ndërtuesve të rrugës Durrës – Kukës. Gjatë muajit maj prokuroria e dërgoi në gjykatë e Krimeve të Rënda. Pas këtij vendimi, Gjaci ka të drejtë brenda dhjetë ditësh ta apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.
24 Qershor 2008