Shkodër, Policia Rrugore, masa për zbatimin e rregullave të qarkullimit
SHKODËR - Inspektoriati i policisë rrugore në komisariatin e rrethit të Shkodrës, ka ndërmarrë të hënën një aksion të gjerë duke kontrolluar në pika të ndryshme të qytetit ndaj drejtuesve të automjeteve, në zbatim të rregullores së drejtimit të automjeteve, si dhe të pajisjes me dokumentacionin përkatës.
Shefi i sektorit të qarkullimit rrugor të komisariatit të Shkodrës, Agron Guri, tha për gazetën se “një kontroll i tillë është pjesë e punës sonë të përditshme, pasi ndjekja nga afër e disiplinimit të qarkullimit rrugor mban nën presion edhe vetë drejtuesit e automjeteve, të cilët nga ana e tyre bëhen më të ndërgjegjshëm në zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Sipas tij, situata e tanishme kur sapo kanë filluar të vijnë me pushim emigrantët, të cilët duke sjelle me vete automjetet e tyre e dyfishojnë numrin e tyre në qarkullim, kërkon një vëmendje edhe më të madhe nga ana e strukturave të policisë. Si rezultat i këtij kontrolli, gjatë ditës së sotme janë vendosur 310 gjoba në ngarkim të kundravajtësve në drejtimin e automjeteve si, per mangësi të përdorimit të rripit të sigurimit, gatishmërisë së sinjaleve, të shpejtësisë tej normave të lejuara, parkingjeve të gabuara, si dhe të mospërdorimit të kaskave mbrojtëse për drejtuesit e motoçikletave. Gjoba janë vënë edhe për mungesë dokumentacioni të drejtimit të automjeteve. Sipas shefit të qarkullimit rrugor, kontrolle të tilla do të ushtrohen edhe në ditët në vazhdim
24 Qershor 2008