E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha cel sezonin turistik ne Shengjin

Komuna e Shëngjinit çeli sezonin turistik të verës, me pjesëmarrjen e kryeministrit Berisha në përurimin e disa veprave publike. Përurimet më të reja në komunën e Shëngjinit, përbëjnë investime me vlerë prej 1 miliard lekë të reja. Ato përfshijnë punime të përfunduara, fillim punimesh, si dhe punime të tenderuara për vepra infrastrukturore që do të fillojnë së shpejti. Këtë fundjavë filloi puna për rikonstruksionin e Shëtitores “Uillson”me vlerë 160 milion lekë, si dhe përfunduan punimet për rikonstruksionin e rrugës Autostradë- Ishull Shëngjin, ndërsa së afërmi pritet të nisin, edhe punimet për ndërtimin e rrugës Shëngjin – Kune përgjatë vijës bregdetare, si dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ në zonën e Shëngjinit. Duke vendosur në mënyrë simbolike gurin e parë në fillimin e punimeve për shëtitoren e qytetit, kryeministri u shpreh se ajo do të jetë nga shëtitoret më moderne të brigjeve të Shqipërisë.

“Gjatë këtyre viteve në qarkun e Lezhës me financimet e qeverisë janë ndërtuar janë ndërtuar mbi 330 km rrugë, ku vetëm në rrethin e Lezhës janë 178 km nga te cilat 25 km autostrade. Gjithashtu janë ndërtuar 69 shkolla, 26 ujesjellesash, 32 Qendra shëndetësore e ambulance dhe janë subvencionuar mbi 400 hektarë ne pemëtari, ullinj, vreshta e bime are. Unë jam sot këtu për tu premtuar ju se në vitet që vijnë investimet për ju, për Lezhën, për Kurbinin, për Mirditën dhe mbarë Shqipërinë do të shumëfishohen”- u shpreh kryeministri.
Para banorëve të dhe autoriteteve lokale, jo vetëm të qarkut të Lezhës, por edhe atyre të ardhur nga Kosova, kryeministri uroi për një sezon turistik sa më të mbarë dhe shprehu angazhimin e qeverisë për të bërë gjithçka që kushtet e jetesës dhe të mikpritjes për banorët e zonës të përmirësohen çdo vit e më shumë.

“Le të urojmë të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë dhe të huaj që përzgjedhin Shëngjinin, brigjet shqiptare, malet e saj dhe mbarë Shqipërinë për të kaluar pushimet, pushime sa më të mbara. Gjithashtu jam sot këtu për tua angazhuar para jush se qeveria do të bëjë gjithçka që çdo vit kushtet e mikpritjes suaj, kushtet e banimit, të jetesës, të argëtimit, të miqve e vizitorëve, por edhe tuajat të bëhen gjithnjë e më të mira”- shtoi më tej Berisha

Kryeministri theksoi se turizmi është shndërruar në një degë të rëndësishme të ekonomisë. Nëse 7 vite më parë Shqipëria priste gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë, vitin që priti mbi 4 milion të tillë.
“Vitet e fundit Shëngjini, me mikpritjen e tuaj, bujarinë tuaj, qytetarinë tuaj dhe vlerat e mëdha që ka bregu dhe mjedisi i tij, ujërat dhe i tërë kompleksi është shndërruar në një pol të fuqishëm të turizmit në Shqipëri. Vetëm Shëngjini dhe Lezha kanë pritur vitin e kaluar turistë dhe vizitorë, aq sa ka pritur e gjithë Shqipëria, në vitin 2004”-tha ai.

Kryeministri trajtoi dhe një herë si problematikë që duhet të marrë zgjidhjr brenda një kohe të shkurtër atë të mbetjeve urbane dhe plehrave. Ky ishte dhe shqetësimi që i kishte shprehur një grup xhirimi i një televizioni të huaj, krahas vlerësimit për burkuritë mahnitëse të Shqipërisë.
“Por i thashë se jam optimist që ne do të dimë gjithnjë e më shpejt e më mirë ta trajtojmë këtë problem, do të dimë që ashtu siç mbajmë të pastra shtëpitë tona, ashtu siç mbajmë të pastra lokalet tona, ashtu siç mbajmë të pastra restorantet tona, të mbajmë të pastër dhe mjedisin përreth. Ndaj dhe thirrja ime ndaj jush..... le ti japim Shqipërisë ne, atë pastërti që meriton”-nënvizoi kryeministri.

Kryeministri Berisha ftoi qytetarët kosovarë të kalojnë pushimet në Shqipëri, por edhe ata të Shqipërisë të zbulojnë bukuritë mahnitëse të Prizrenit, Pejës, maleve të Sharrit, të Grykës së Rugovës, apo të Drenicës. Kryeministrit Berisha iu akordua nga banorët e komunës titulli i mirënjohjes së qytetit të Shëngjinit me motivacionin “Për vëmendjen dhe përkushtimin e veçantë që keni dëshmuar si kryeministër dhe si lider politik për zhvillimin e komunës së Shëngjinit nëpërmjet mbështetjeve dhe financimeve të një morie projektesh me vlerë.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›