Kule: “Nga universitetet private dalin studentë me nivel të ulët”
Universitetet private në vend do t’i nënshtrohen së shpejti kontrollit të cilësisë ose siç quhet ndryshe procesit të akreditimit. Fakti bëhet i ditur nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili shpjegon këtë nismë që ka gjetur edhe mbështetjen e qeverisë në kohën kur numri i universiteteve private është shtuar shumë në vend, ndërsa vihet në dyshim cilësia e tyre. Shkak për nisjen e kontrolleve në universitetet private mësohet të jetë bërë pikërisht cilësia e produktit të tyre që janë mijëra të rinj dhe jo vetëm, me diploma. Para disa muajsh, vetë Kryeministri, Sali Berisha, kërkoi që të bëhej renditja e universiteteve sipas cilësisë, por sipas rektorit të UT-së, Kule ky proces kërkon kohë. Vetëm para pak ditësh, Ministria e Arsimit në Kosovë bllokoi rilicencimin e 90 për qind të universiteteve private atje, pasi ata nuk plotësonin kushtet e nevojshme për mësimdhënie. Ky vendim erdhi falë procesit të akreditimit që është kryer kohë më parë në Kosovë, ndërsa në Shqipëri është ende në proces kontraktimi.
Licenca
Aktualisht në vendin tonë, janë të licencuara 15 shkolla të larta jopublike. Përveç inspektimeve të shumta që kryen gjatë një viti, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka të drejtë t’i propozojë Këshillit të Ministrave tërheqjen e lejes për shkollën e lartë jopublike, në rastet kur veprimtaria e shkollës së lartë jopublike shmanget nga objekti i miratuar; nuk arrihet akreditimi i kursit të studimeve; shkolla e lartë jopublike gjatë funksionimit nuk u përmbahet kërkesave të këtij vendimi. Nëse veprimtaria e shkollës së lartë jopublike nuk i përgjigjet statutit dhe rregullores së miratuar dhe nuk kryhen në kohë korrigjimet e nevojshme të kërkuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, a të lëna si detyrë nga inspektimet e paralajmëruara.
Kriteret
Rregullat dhe kriteret për hapjen e një universiteti privat në vendin tonë janë të njëjta për të gjitha subjektet, pavarësisht qytetit në të cilin kërkohet të hapet ky institucion. MASH-i ka publikuar të plotë ligjin për Arsimin e Lartë Jopublik, me të gjitha vendimet dhe kushtet që duhet të plotësohen nga ana e të interesuarve. Është e rëndësishme që subjekti që dëshiron të hapë një shkollë të lartë jopublike, për marrjen e lejes duhet të paraqesë një kërkesë në MASH, e cila duhet të shoqërohet me plot 12 dokumente, mes të cilave vendimi i Gjykatës së Faktit për regjistrimin si person juridik është i padiskutueshëm.
Kriteret për dhënien e lejes
1. Shkollat e larta jopublike në territorin e Republikës së Shqipërisë veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Shqipërisë.
2. Shkollat e larta jopublike mund të jenë të nivelit jouniversitar, universitar dhe pasuniversitar.
3. Procesi i dhënies së lejes për shkollat e larta jopublike përfshin dy faza:
a. Dhënia e lejes, e cila jep të drejtën e hapjes dhe të fillimit të procesit mësimor.
b. Akreditimin, i cili bën të mundur njohjen e kursit të studimit dhe të shkollës.
4. Leja shtetërore për funksionimin e shkollave të larta jopublike dhe mbyllja e tyre, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave në bazë të propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.
5. Subjekti që dëshiron të hapë një shkollë të lartë jopublike, për marrjen e lejes duhet të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, e cila duhet të shoqërohet me këto dokumente:
a. Vendimin e Gjykatës së Faktit për regjistrimin si person juridik;
b. Aktin e themelimit
c. Emrin, vendndodhjen, një kopje të dokumenteve të regjistrimit dhe të licencës së mësimit të vendit nga vjen (në qoftë se enti financues është person juridik i huaj) dhe tipin e shkollës së lartë jopublike që kërkon të hapë (sipas nenit 2 të këtij Vendimi);
ç. Statutin, i cili duhet të përmbajë: Emrin e plotë të shkollës jopublike, adresën, tipin, qëllimin dhe zgjatjen e procesit mësimor, gjuhën e zhvillimit të mësimit, organet drejtuese dhe kompetencat e tyre, financimi dhe veprimtarinë ekonomike, procedurat për pranimin dhe diplomimin e studentëve, të drejtat dhe detyrat e studentëve, kriteret për punësim, normën mësimore- shkencore, kohën e punës dhe të pushimit, marrëdhëniet me shkollat e larta, të drejtat dhe detyrat e personelit;
d. Rregulloren e brendshme, e cila duhet të përmbajë: Dispozitat e përgjithshme, strukturën organizative, format e organizimit të studimeve dhe të kontrollit të dijeve, diplomimin, të drejtat dhe detyrimet e studentit dhe të pedagogut, standardet etike;
e. Listat e plota të personelit drejtues, të personelit akademik (të brendshëm e të jashtëm), të personelit ndihmës mësimor-shkencor, të personelit administrativ, së bashku me disa gjeneralitete: Datëlindja dhe vendlindja, kombësia dhe shtetësia, arsimimi, specialiteti, diploma dhe kualifikime të tjera të dokumentuara, detyra funksionale në institucion, dëshmia e penalitetit.
ë. Një katalog me listën e vendeve të punës dhe kërkesat për çdo vend pune;
f. Planin afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit institucional;
g. Dokumente që vërtetojnë garancinë financiare për financimin e personelit dhe të të gjitha veprimtarive mësimore-shkencore të shkollës së lartë jopublike, për një cikël të plotë për çdo kurs studimi. Dokumenti i garancisë financiare duhet të paraqitet çdo vit pranë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës;
gj. Deklaratën në të cilën subjekti angazhohet të sigurojë një dokument pronësie apo kontratë qiraje për ndërtesën në të cilën do të funksionojë shkolla e lartë jopublike. Dokumenti i pronësisë ose kontrata e qirasë duhet të realizohet jo më vonë se tre muaj para fillimit të vitit akademik shkollor. Në rastin e kontratës së qirasë, afati i saj duhet të jetë sa zgjatja e kursit mësimor;
h. Vërtetim nga inspektorati sanitar për konfirmimin që mjedisi i plotëson kushtet higjienë-sanitare, pasi është siguruar dokumenti i pronësisë ose kontrata e qirasë;
i. Dokumentin e identifikimit të subjektit juridik, si person i tatueshëm si dhe vërtetimin nga dega e Tatim-Taksave.
j. Autorizim nga zyra e punës të rrethit përkatës ku ushtrohet veprimtaria, si dhe nga Inspektorati i Punës;
6. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të verifikojë gjendjen e objektit, jo më vonë se tri javë para fillimit të procesit mësimor. Për rregullimin e mangësive të vërejtura ajo vendos afate dhe/ose pezullon fillimin e procesit mësimor deri në plotësimin e tyre;
7. Në qoftë se Ministria e Arsimit dhe e Shkencës vëren pamjaftueshmëri në kërkesat e pikës 5, ajo fton subjektin juridik t‘i eliminojë ato brenda një muaji. Kur subjekti juridik dështon në eliminimin e mungesave, brenda afatit të caktuar, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës merr vendim në bazë të të dhënave origjinale ose të noterizuara.
8. Për vlerësimin e kërkesës, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës krijon një komision të posaçëm të përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit të Lartë, të Drejtorisë së Investimeve, të Drejtorisë Ekonomike, të Sektorit Juridik, të Agjencisë së Vlerësimit dhe të Akreditimit. Komisioni drejtohet nga zëvendësministri, i cili mbulon arsimin e lartë.
Leja e funksionimit nuk jepet në raste kur:
a. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës shprehet negativisht për kërkesat e pikës 5.
b. Dokumentacioni i paraqitur nuk plotëson standardet e vendosur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për programin e studimeve dhe për zhvillimin e veprimtarive mësimore, kualifikuese, shkencore, krijuese, artistike, etj.
c. Përshkrimi i rregullave të brendshme nuk është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi të Republikës së Shqipërisë.
10. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, nëpërmjet procesit të akreditimit bën procesin e vlerësimit dhe të akreditimit, i cili jep të drejtën e njohjes së kursit të studimit dhe të shkollës së arsimit të lartë jopublik, brenda 5 vjetësh, pas marrjes së lejes dhe para përfundimit të kursit të studimit. Rezultatet bëhen publike.
11. Shkolla e lartë jopublike paraqet në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, në fund të çdo viti akademik, raportin e detajuar për veprimtarinë e saj mësimore-shkencore të zhvilluar.
12. Shkollat e larta universitare jopublike kanë të drejtë të realizojnë aspekte të arsimit pasuniversitar, në mbështetje të legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Arsimi pasuniversitar përfshin kualifikimin shkencor pasuniversitar, kurset e specializimit dhe kurset e kualifikimit afatshkurtër e afatgjatë.
13. Hapja dhe funksionimi i arsimit pasuniversitar nga shkollat e larta jopublike bëhet me miratimin e Këshillit të Ministrave mbi bazën e propozimeve të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, sipas projekteve të propozuara nga një shkollë e lartë universitare jopublike, vetëm ose në bashkëpunim me një ose disa shkolla të larta universitare, publike ose jopublike, duke respektuar procedurat e pikës 2.
14. Projekti që i propozohet Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, për zhvillimin e arsimit pasuniversitar duhet të jetë i miratuar nga organi më i lartë drejtues i shkollës së lartë jopublike dhe të jetë hartuar në përputhje me aktet ligjore e nënligjore përkatëse të Republikës së Shqipërisë.
Lista e 15 universiteteve private në vend
1. Shkolla e lartë: “New York University-Tirana”
2. Shkolla e lartë: “Luarasi”
3. Shkolla e lartë: Universiteti “Ufo Dental”
4. Shkolla e lartë: Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë”
5. Shkolla e lartë: “Marubi”
6. Shkolla e lartë: Universiteti “Marin Barleti”
7. Shkolla e lartë: Universiteti “Kristal”
8. Shkolla e lartë: “Justiniani i Parë”
10. Shkolla e lartë: Universiteti Evropian i Tiranës
11. Shkolla e lartë: “Justicia”
12. Shkolla e lartë: “Aldent”
13. Shkolla e lartë: “Medikadent”
14. Shkolla e lartë: “Wisdom University”
15. Shkolla e lartë: “Universiteti Polis”
24 Korrik 2008