E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon PS: Kthehemi në Kuvend nëse hapen kutitë

Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, refuzoi dje publikisht thirrjen e Kryeministrit për opozitën. Në një komunikim me median, pak momente pasi foli Kryeministri, ajo konstatoi se nuk ka asnjë hap prapa pa zbardhur atë çka e cilëson "krimin elektoral" të 28 qershorit. Partia Socialiste i kujtoi Kryeministrit Sali Berisha se nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për hapjen e kutive të votimit dhe plotësimi i kësaj kërkese do të ishte e vetmja rrugë që do ta kthente grupin parlamentar në sallën e Parlamentit. Një veprim i tillë, tha Imeraj, do të mund të kthente njëkohësisht edhe jetën politike në normalitet. Partia Socialiste kërkoi nga mazhoranca dhe Kryeministri Berisha që të mos pengohet zbardhja e së vërtetës së 28 qershorit, të plotësohet kërkesa e opozitës për hetim parlamentar të zgjedhjeve të drejtuar prej saj. "Të mos mbahen peng kutitë e votimit, por të lejohet hapja e tyre para popullit", theksoi Imeraj. Nëse kjo nuk ndodh, u shpreh zëdhënësja e selisë rozë, mazhoranca do të përballet me pasojat e vjedhjes së votave, fshehjes së provave dhe e mbajtjes së pushtetit përmes deformimit të vullnetit të popullit. Kjo është e disata herë që opozita e përsërit deklaratën e saj se nuk do të shkojë në sallën e Kuvendit nëse mazhoranca dhe Kryeministri Berisha nuk lejojnë hapjen e kutive të votimit për tri qarqe, Tiranën, Beratin dhe Shkodrën. Sipas opozitës, në këto qarqe është manipuluar me votën e shqiptarëve, ndaj PS-ja kërkon nxjerrjen në dritë të së vërtetës. Kuvendi ka filluar punën prej më shumë se një muaji dhe opozita ende nuk është paraqitur me grupin e saj parlamentar në sallën e Kuvendit. Një veprim i tillë është konsideruar jo pak herë prej mazhorancës si pengesë që po i bëhet ecurisë së reformave në vend. Gjatë këtij muaji kanë qenë pothuajse të përditshme daljet publike të deputetëve të PS-së, por edhe të kryetarit Edi Rama, të cilët i kanë kërkuar mazhorancës hapjen e kutive të votimit. Një apel i tillë deri më tani ka rënë në vesh të shurdhër, pavarësisht se si Kryeministri Berisha ashtu edhe drejtues të tjerë të mazhorancës i kanë bërë thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend, për shkak se aty bëhet debati politik. Kthimi i opozitës në sallën e Kuvendit prej javësh është edhe objekt i deklaratave të faktorit ndërkombëtar të akredituar në Tiranë. Ata kanë insistuar në deklarimet e tyre, se grupi parlamentar i Partisë Socialiste duhet të zhvillojë betejën politike në sallën e Kuvendit dhe të japë kontributin duke votuar "pro" realizimit të reformave kryesore, të cilat do ta lehtësojnë rrugën e Shqipërisë drejt familjes europiane. Pavarësisht këtyre deklaratave, kryetari i PS-së është shprehur qartazi se nuk pranon të "falë" zgjedhjet e 28 qershorit ashtu sikurse me zbardhjen e asaj çka ndodhi nuk synohet një ndryshim i rezultatit në tavolinë.

E.Gjura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›