E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha dhe Basha ne simpoziumin per 92 vjetorin e Tiranes kryeqytet

Pas 92 vitesh nga themelimi i Tiranës si kryeqytet i vendit dhe në vitin e 100-të Pavarësisë së shqipërisë, krerët e shtetit sot shprehin mirënjohje ndaj burrave të kombit që morën këtë vendim. Që atëherë tha kryeministri Berisha, Tirana u bë kryeqendra politike e shqiptarëve dhe Tirana ishte kryeqyteti i vizatuar në mënyrë profetike nga rilindasi i madh Sami Frashëri.
“Tirana është epiqendra politike e shqiptarëve, është zemra dhe truri i kombit, por mbi të gjitha Tirana është ëndrra e shqiptarëve, ëndrra më e bukur e tyre, ndaj dhe zoti kryetar, duhet tu përgëzoj për frymën qytetare që keni rikthyer me të gjithë ekipin tuaj, në një kohë të shkurtër, në këtë qytet të mrekullueshëm, i cili para së gjithash dhe mbi të gjitha kërkon tu frymëzojë ju, të na frymëzojë ne, të frymëzojë gjithë politikanët, drejtuesit, me virtytet e shpirtit dhe zemrës së saj”.-tha Berisha
E vërteta është theksoi kryeministri se Tirana udhëhoqi të gjitha lëvizjet e mëdha politike, ndërsa sot me ekipin e ri në krye të Bashkisë së Tiranës, po përjeton zhvillimin e dytë të madh në historinë e saj që nga themelimi.
“Sot ne festojmë 92 vjetorin e lindjes së kryeqytetit. Datën si qytet e ka shumë më të largët, por e festojmë në një kryeqytet të një vendi anëtar të NATO-s; e festojmë në një kryeqytet, i cili krijoi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj vlera të mëdha evropiane; e festojmë në një kryeqytet që është sot, lokomotivë kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit; e festojmë në një kryeqytet që i jep nder dhe krenari çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje kudo që ndodhet, në Shqipëri dhe në botë.”-deklaori kryeministri
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se misioni i tij si qytetar i parë i kryeqytetit dhe ekipit të tij është Tirana Europiane, sot ajo në 100 vjetorin e Pavarësisë është më pranë botës perëndimore dhe e lidhur fort me të gjitha trevat shqiptare
“Që nga 1913, Tirana u shndërrua në qytetin më mikpritës të shqiptarëve. Për dekada me radhë, Tirana ishte qytet i shpresës për çdo shqiptar, por sot detyra jonë është që ta bëjmë Tiranën shpresën e qytetarëve të saj, qofshin autoktonë apo të ardhur, banorë të përhershëm apo të përkohshëm, ta bëjmë atë qytetin e shanseve dhe mundësive më të mëdha për të gjithë. Tirana europiane është prioriteti ynë dhe nuk mund të ketë destinacion tjetër për kryeqytetin tonë. Pas 100 viteve pavarësi dhe në këtë 92-vjetor të shpalljes së tij si kryeqytet, Tirana është më afër Brukselit, më afër Uashingtonit, më afër Romës dhe shumë qendrave të tjera të rëndësishme të botës. Sot, ne jemi gjithashtu më afër Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Tuzit, Ulqinit, Preshevës dhe shumë qyteteve të tjera ku jetojnë shqiptarët. Tirana ka një mision dhe unë jam i lumtur, që ne të gjithë jemi pjesë e tij. Misioni është “Tirana evropiane”, për banorët e saj dhe gjithë shqiptarët”.- u shpreh kryebashkiaku
Në këtë simpozium një sërë figurash të shquara të historisë, arkeologjisë, akademikë të ndryshëm referuan për historinë e Tiranës, familjeve të saj të mëdha, dhe vlerave që e rritën dhe e gjallëruan atë si zemrën nga i kanë sytë të gjithë shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›