E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Bode: Zyrtarët, abuzime me ndihmën sociale

“Këshilltarët lokalë iu vodhën të varfërve ndihmën sociale”

Berisha mbledh ekspertët: Rishikim ndihmës ekonomike

Para se të reformojë sistemin e ndihmës ekonomike, qeveria do të godasë abuzimet me skemën aktuale. Qeveria synon jo vetëm rritjen e ndihmës ekonomike dhe shërbimeve që do t’iu mbulohet familjeve të varfra, por edhe shmangien përfundimtare të abuzimit me ndihmën sociale nga zyrtarët. Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, pranë Këshillit të Ministrave u zhvillua dje një mbledhje për ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore, si dhe për strategjitë në luftën kundër mjerimit, në kuadër të vendosmërisë dhe prioritetit më të madh që qeveria shqiptare ka në luftën kundër mjerimit në familjet shqiptare. Kryeministri Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, kanë treguar gjatë mbledhjes shembuj se si këshilltarë në disa bashki dhe komuna janë gjetur të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike, duke e ndarë atë mes tyre. Në këtë aspekt, duke u fokusuar në problemin e rëndë të abuzimeve, shpërdorimeve dhe informalitetit në sistemin e ndihmës sociale, Berisha dhe Bode veçuan faktin se janë gjetur këshilla, ku të gjithë këshilltarët janë futur në ndihmë ekonomike, duke e ndarë atë mes tyre, dukuri kjo e papranueshme. “Kjo dhe të tjera raste abuzimi, sjellin nevojën e kontrollit më të madh të skemës dhe bashkëpunimit të nëpunësve të ministrisë dhe komunitetit në këtë drejtim”, - deklaroi z. Berisha. Në këtë mbledhje merrnin pjesë aktorët kryesorë të angazhuar në reformimin e sistemit të ndihmës sociale, z. Ridvan Bode, ministër i Financave, zoti Spiro Ksera, ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Kastriot Sulka, zv.ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, znj. Evelina Koldashi, drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore si dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, të lidhura me iniciativën e ndërmarrë nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për përmirësime në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Diskutimet gjatë kësaj mbledhjeje u përqendruan në fillimin menjëherë nga puna të Grupit të Punës, i cili do të merret me reformimin e thellë të nevojshëm të sistemit të ndihmës ekonomike, me qëllim një efikasitet më të lartë në shpërndarjen e fondeve në këtë drejtim dhe luftën kundër përfitimeve të padrejta dhe informalitetin në dy grupe shoqërore në nevojë, siç janë përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Lidhur me këto aspekte u rrahën mendimet e ekspertëve të pranishëm në drejtim të rishikimit tërësisht të skemës dhe programeve të ndihmës ekonomike, rëndësisë së digjitalizimit të listës së personave në ndihmë ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuar, fleksibilitetit më të madh në kriteret përcaktuese të kërkuara për përfitimin e ndihmës ekonomike, shqyrtimit të kuadrit ligjor në bazë të drejtësisë sociale, një rishikim dhe rihartim të programit të punësimit me interes komunitar me fokus tek këto kategori në nevojë, si dhe domosdoshmërinë e një kontrollueshmërie më të lartë të skemës së ndihmës sociale ndaj kategorive përfituese. Kryeministri Berisha u shpreh se janë shumë familje në zonat rurale, të cilat nuk sigurojnë dot bukën çfarëdo që të bëjnë dhe që nuk kanë kushte që të prodhojnë produkte të tjera apo të blejnë bukën, ndaj duhet t’u sigurohet atyre gruri mbi bazën e kritereve të caktuara. Kryeministri theksoi se fondet e çliruara nga rishikimi i skemës dhe shpërndarja më e drejtë e tyre duhet t’i shkojnë me përparësi përsëri këtyre zonave rurale me varfëri të thellë, por duhet gjetur mënyra apo skema e duhur për këtë. Kryeministri nënvizoi faktin se kategoria e nënave me shumë fëmijë jetimë në mënyrë absolute ka një trajtim të papranueshëm dhe se duhet rishikuar se në cilat aspekte do i jepet ndihma kësaj kategorie, ndihmë e cila duhet të konsistojë jo vetëm për librat e shkollës, por edhe për ilaçet dhe për të gjitha ato aspekte për të cilat këto grupe në nevojë nuk përgjigjen dot, pra ndihma financiare do të shtrihet më gjerësisht, si dhe do të reformohen kushtet e kërkuara në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm çlirimin e fondeve të cilat do t’i shkojnë komunave dhe zonave më të varfra, si mënyra më efikase për luftën kundër varfërisë dhe mjerimit. Z. Berisha theksoi se ndihma ekonomike duhet të përfshijë të gjitha detyrimet që familjeve në nevojë u lindin me shtetin dhe të cilave nuk kanë mundësinë t’u përgjigjen, si shkollimi, librat, bursat për fëmijët, energjia dhe të gjitha aspektet e tjera të jetesës së tyre që nuk përballohen dot prej familjeve në nevojë. Nuk duhet të ketë më asnjë pengesë ekonomike për familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre, - u shpreh Kryeministri Berisha. Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht dhe për ndihmën financiare për personat me aftësi të kufizuar dhe për dukurinë e papranueshme të abuzimeve dhe shpërdorimeve në kuadër të fondeve për këtë kategori të shoqërisë.

Frika e thyerjes së bojkotit, Rama, deputetëve: Nuk ju digjet mandati

Nga frika se shumë prej deputetëve do të thyejnë bojkotin dhe do të hyjnë në Kuvend, kryetari i PS-së, Edi Rama, i qetësoi të zgjedhurit e PS-së për mosdjegien e mandateve të tyre. Në protestën e Elbasanit, kryesocialisti Rama deklaroi se mandatet e deputetëve të zgjedhur nuk do të digjen. Kjo siguri e habitshme e Ramës vjen edhe si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së para pak ditëve të kryeparlamentares Jozefina Topalli, që sipas saj, gjashtë muaj pas bojkotit do t’i drejtohet KQZ-së për një qëndrim. "Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve para të vërtetës dramatike të 28 qershorit, por nga ana tjetër, mandatet e PS-së nuk digjen dhe nuk do të digjen, sepse deputetët e PS-së i kanë ato mandate për të mbrojtur interesat e zgjedhësve, i kanë ato mandate për të luftuar për të drejtat e liritë e qytetarëve, i kanë ato mandate për t’i dhënë fund zgjedhjes së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës", - theksoi z. Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›