Berisha dhe Meta nuk e votuan komisionin hetimor
Partia Socialiste duhet t’i kërkojë falje administratës së Kuvendit për shpifjen, sipas së cilës Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta kishin rezultuar se kishin votuar “pro” ngritjes së komisionit hetimor, ndonëse nuk ishin të pranishëm në sallë. Ky ishte qëndrimi zyrtar që paraqiti Kuvendi i Shqipërisë, pas akuzave të hedhura nga deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, në lidhje me votimin për komisionin hetimor për zgjedhjet, i cili u zhvillua tri ditë më parë në Parlament. Për të justifikuar edhe qëndrimin e tij, Kuvendi paraqiti edhe faksimilen e votimit të mbajtur për këtë çështje në Kuvend, dokument i cili tregon se Berisha dhe Meta nuk kanë votuar për ngritjen e komisionit. “I kërkojmë zonjës t’i kërkojë falje administratës së Kuvendit dhe opinionit publik për shpifjen për vjedhjen e votave në votimin për ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e plotë, sipas Kushtetutës të zgjedhjeve më të mira, më të lira e më të ndershme të 28 qershorit”, theksohet në deklaratën e Kuvendit. Sipas përfaqësuesve të Kuvendit, ishte e papërshtatshme për një deputete dhe një pedagoge të gënjente për një çështje të tillë. Po kështu, Kuvendi shpjegoi se seanca e votimit për ngritjen e komisionit hetimor u transmetua direkt nga shumë media dhe nisur nga kjo, qytetarët patën mundësi ta shihnin vetë se çfarë ndodhi në sallën e Kuvendit.
#