E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisnin çantat e grave, dosja shkon në gjykatë

Grupi vepronte në Tiranë. Gjatë këtij viti prokuroria ka dërguar për gjykim mbi 100 dosje penale për vjedhje e grabitje

Prokuroria e Tiranës ngre shqetësimin për vjedhjet dhe grabitjet me dhunë, të cilat janë në shifra alarmante, kjo ndoshta si pasojë edhe e krizës financiare. Gjatë vitit 2010 akuza e kryeqytetit ka dërguar për ndjekje penale rreth 100 dosje me dhjetëra të akuzuar, ndërsa në prokurori është ngritur edhe seksioni i veçantë për këtë kategori veprash penale. Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, prokuroria ka dërguar në gjykatë një grup personash që grabisnin çantat e grave me motoçikletë. Të pandehurit janë kryesisht të moshës 17-24 vjeç banues në Tiranë. Ata dyshohen se në bashkëpunim kanë realizuar vjedhjen në 13 janar 2010, në rrugën “Ali Visha” të çantës së dorës së një gruaje, duke i marrë sende personale dhe një aparat celular të markës “Samsung”. Ndërsa në datën 7 janar në rrugën “Budi”, i kanë vjedhur çantën e dorës një gruaje tjetër duke i marrë prej saj një shumë prej 4000 lekësh dhe disa sende personale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti motor me të cilin dyshohet se kanë kryer këto vjedhje. Një tjetër grup personash të akuzuar për vjedhje me dhunë është dërguar në gjykatë. Edhe këta janë të moshës 19-21 vjeç. Të rinjtë kanë tentuar të vjedhin disa dyqane. Në një rast, ata kanë arritur që të futen brenda në dyqan, por mbërritja e shpejtë e policisë ka bërë ata të mos e realizojnë planin e tyre për vjedhjen e dyqanit në pronësi të një shtetasi me banim në Bathore. Anëtarët e këtij grupi njihen si persona me precedentë të mëparshëm penalë dhe kanë qenë të dënuar po për akuzën e vjedhjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›