E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Rama sulmojnë njeri-tjetrin

17/12/2008  Akuzat e Sali Berishës

Sipas teje, zoti Rama, dhe sipas zëdhënësve tuaj, në Shqipëri procese madhore mund të zhvillojnë vetëm ata që i kanë duart deri në bërryla me gjakun e njerëzve të pafajshëm? Por i them zotit Rama se po bën Spiro Kolekën, dajën tënd, që ka çuar në pushkatim me dhjetëra inxhinierë me ekspertizat e tij false, kur u thua shqiptarëve se vetëm shtylla mund të hetojë, vetëm ata që kanë urdhëruar varje mund të gjykojnë.

Spiro Koleka, daja i kryetarit tuaj, që ju mban peng sot. Shkoni dhe pyeteni se si i ekzekutoi intelektualët e kombit, vetëm se nuk pranonin. Të mos mbajë peng një opozitë pse është i biri i një anëtari të Komitetit Qendror, që gjithë jetën ia ka kushtuar busteve të diktatorit.

Ju e zhbëtë lustracionin, sepse ju dëmshpërblyet dhe i dhatë pafajësi Nexhmije Hoxhës, korbë e zezë e të gjitha të zezave që i ndodhën këtij kombi.

Në 18 vjet tentativa jonë e ndershme, kjo që është sot, që u vendos me ligj në vitin 1995, u bllokua dhe ne përjetuam këtë vit dekorimin e prokurorit që kërkoi dënimin kapital të Xhelal Koprenckës në vitin 1979.

Në vitin 1997 erdhën në pushtet ata që erdhën dhe hapin e parë që bënë ishte zhbërja e procesit të lustrimit.

I njohën pafajësinë Arianit Çelës dhe i dhanë dëmshpërblim për vitet e burgut, do të thotë kjo se ti, o shoku Aranit, ke pasur shumë të drejtë që ke adaptuar këtë politikë çnjerëzore, që ke urdhëruar varje, pushkatime, kampe përqendrimi, ti je i pafajshëm. Komunizmi i Alisë është i pafajshëm dhe se shteti kishte të drejtë të vriste, të pushkatonte pa gjyqe, të internonte dhe të izolonte popullin e vet. Në të njëjtën mënyrë iu dha pafajësia dhe shpërblimi Ramiz Alisë.

Cili ishte Ramiz Alia? Nuk po futem unë se ka marrë pjesë në ekzekutimin e Margarita Tutulanit apo Qemal Stafës, apo të tjera. Por ka vendosur firmën për ekzekutimin e 27 intelektualëve një ditë para se të bëhej gjyqi në Tiranë, në një kohë kur ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen dhe nuk pranoi ti firmoste, pasi nuk ishte bërë gjyqi. A nuk ishte Ramiz Alia Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë kur iu vunë minat monumenteve të Kishës së Shën Pjetrit në Vaun e Dejës, një monument ndër më të vjetrit në Ballkan dhe më të vjetrit në Europë?

Ju (PS) i dhatë pafajësinë Ramiz Alisë, i cili, kur po binte Muri i Berlinit, dekretoi ekzekutimin e Havzi Nelës në Kukës, pushkatimin e fshatarëve të Krujës se gjoja do të bënin atentat. A nuk ishte Ramiz Alia ai që firmosi ekzekutimin e oficerëve në Elbasan? Ju e zhbëtë atë, i dhatë pafajësi.

Unë nuk arrij kurrë ta konceptoj këtë. Ju rikthyet tërësisht gjykatësit që u larguan, zgjodhët në krye të Gjykatës Kushtetuese njeriun që kishte vrarë Havzi Nelën. Ndërgjegjja njerëzore do tu vrasë ndonjë ditë edhe ju. Ju i larguat, ju i rikthyet që të gjithë, çfarë bëtë ju tjetër? A e dini ju që kthyet tre drejtorë me radhë të Sigurimit të Shtetit dhe, kur erdha, i gjeta jo nëndrejtor, por këshilltarë kryesorë?

Akuzat e Edi Ramës

Është e trishtueshme që pas 18 vjetësh liri fryma që karakterizon komunikimin publik dhe aksionin politik të Sali Berishës mbetet thelbësisht komuniste.

Sali Berisha gënjen për arritjet e tij njësoj si një propagandist i rëndomtë komunist.

Sali Berisha thotë se projektligji i dosjeve është një arritje në rrugën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Gënjen! Projektligji i dosjeve është një shprehje brutale e komunistizimit të marrëdhënieve mes qeverisë së Sali Berishës e atij vetë me pushtetin gjyqësor në Shqipëri.

Sali Berisha kërkon të shkatërrojë pushtetin gjyqësor për të shpëtuar in extremis oborrtarët e tij nga hetimi e gjykimi i pavarur i dosjeve të mëdha të korrupsionit qeveritar.

Sali Berisha akuzon se opozita nuk dashka të bëjë transparencën e së kaluarës dhe penguaka hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste.

Është Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe shpura e tyre që e ka kyçur atë në sirtar vetëm e vetëm për ta përdorur fabulën e spiunëve të diktaturës në funksion të interesave politike të ditës.

Sali Berisha ka vërsulur drejt nesh papagajtë e oborrit të tij, duke mos u kursyer as vetë në përpjekjen e dëshpëruar, për ta treguar këtë projektligj si një vijë parimore demarkacioni mes maxhorancës, që dashka të dënojë krimet e komunizmit dhe opozitës, që mbrojtka kriminelët e diktaturës komuniste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›