E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesocialisti Rama: Sali Berisha ka nxitur luftën e klasave

17/12/2008  Ligji i dosjeve, vijojnë akuzat dhe kundërakuzat mes kreut të PD-së dhe PS-së

“Shqiptarët patën rastin të shohin sekretarin e djeshëm të partisë së Enver Hoxhës dhe kryeministrin e sotëm të vendit, pra komunistin e vjetër dhe demokratin e flaktë Sali Berisha, në njërën prej shfaqjeve më të shëmtuara të politikës së vjetër të dyfytyrësisë”, - kështu u është kundërpërgjigjur kreu i Ps-së Edi Rama kritikave dhe akuzave të ardhura në adresë të tij dy ditë më parë nga kreu i mazhorancës Sali Berisha. Gjatë ditëve të fundit të dy drejtuesi nuk kanë reshtur se shkëmbyeri në distancë akuza dhe kritika ndaj njëri-tjetrit dhe shkak për këtë është bërë pikërisht ligji i PD-së për pastërtinë e figurës. Kështu, pas deklaratave të lëshuara në seancën parlamentare, ku u diskutua një projektligj i tillë nga Kryeministri Berisha, reagoi kreu socialist Rama. Në një konferencë të posaçme për shtyp Rama nuk kurseu gjuhën e ashpër ndaj kreut të ekzekutivit, duke shkuar deri aty sa e akuzoi atë si nxitës të luftës së klasave. “Sali Berishës duhet ti vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha në Kuvend, sepse ndërkohë që mallkonte një regjim çnjerëzor si ai komunist, të cilit i ka shërbyer gjatë si nxitës i zellshëm i luftës së klasave pikërisht kundër atyre që sot bën sikur i mbron, është kryeministri që për të tretin vit me radhë djeg fondet që gjoja u vë në dispozicion çdo fillimviti për dëmshpërblim viktimave të luftës së klasave”, - u shpreh Rama në fjalën e tij. Njëkohësisht, duke pasur si kryefjalë të konferencës së tij pikërisht epitetin e “dyfytyrësisë” së Kryeministrit Berisha, kryetari i PS-së i theksoi se “Sali Berishës duhet ti vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse teksa fliste për plagët e komunizmit, e kishte mendjen te lulet e korrupsionit; teksa ngrinte zërin për krimet politike të partisë së tij të vjetër, e kishte hallin te krimet ekonomike të partisë së tij të re; teksa akuzonte duke ngritur gishtin shokët e tij të dikurshëm në shërbim të diktaturës së proletariatit, e kishte merakun te gishti i ngritur nga organi i sotëm i akuzës në adresë të qeverisë së tij”. Sipas tij, qëllimi i Kryeministrit Berisha nuk ishte dënimi i diktaturës së komunizmit, por mbrojtja e diktaturës së korrupsionit, ndaj dhe kërkohet miratimi i ligjit për dosjet.

Partia Demokratike

Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, i kërkoi kryetarit të PS-së të japë shpjegime për firmën ekzekutuese të të atit, mos të mbrojë të shkuarën e tij dhe të miratojë ligjin e dosjeve. "Kryeministri fton zotin Rama të gjejë kurajë dhe të shkëputet nga mbrojtja e lidhjeve të tija të vjetra, sepse kjo do ta ndihmojë të shikojë përpara”, thuhet në deklaratën e PD-së. Sipas saj, Rama pasi tërhoqi grupin parlamentar nga debati për ligjin e pastërtisë së figurave, doli përpara shqiptarëve për të bërë sulmin e radhës ndaj Kryeministrit. Berisha e akuzoi Ramën se po pengon Partinë Socialiste dhe po e rendit atë krahas Partisë Socialiste Serbe dhe Partisë Radikale Serbe, si tre parti që nuk e pranojnë lustracionin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›