E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Topalli nisin sulmin frontal kundër Presidentit Topi

Kreu i Institutit të ish-të Përndjekurve kritikoi dje Presidentin

Habjon Hasani

Një aktivitet i organizuar dje për nder të viktimave të diktaturës komuniste nuk i ka shpëtuar shpërdorimit dhe instrumentalizimit nga politika për qëllimet afatshkurtra të ditës. Dje, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe presidenti Bamir Topi kanë ndjekur për më shumë se një orë një dokumentar që fakton krimet makabre të diktaturës, pjesë në vendimmarrjen e të cilave ka edhe ndonjë prej emrave të dekretuar prej tij. Të ftuar nga Shoqata e ish-të Përndjekurve, presidenti Topi dhe kryetarja e Kuvendit Topalli, kanë ndjekur pjesë nga një dëshmi e hidhur e së kaluarës së afërt, ku në mënyrë çnjerëzore janë burgosur, torturuar e ekzekutuar me vendim të diktaturës me mijëra intelektualë shqiptarë. Por, në fund të dokumentarit, Presidenti i Republikës është kritikuar nga drejtori Institutit të të Përndjekurve, institucion që varet nga qeveria për përzgjedhjen e bërë prej tij të emrave si Zamir Poda apo të Kristaq Trajes për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në fakt, kreu i Institutit të të Përndjekurve është de fakto një “nëpunës” i qeverisë, pasi paga që ai merr dhe buxheti i institutit që ai drejton janë në varësinë direkte të Këshillit të Ministrave, e natyrisht që në këto kushte pozicionimi i tij dhe deklaratat e forta në drejtim të presidentit Topi vënë në pikëpyetje serioze qëllimet e vërteta apo dhe moralin e kreut të këtij instituti.
Beteja
Papritur e papandehur, në mes të ditës me diell, maxhoranca i mëshoi ligjit për hapjen e dosjeve. Ky veprim erdhi në sfondin e një beteje deri pak kohë më parë e heshtur për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Me forcë maxhoranca kundërshtoi emërimin e dy gjyqtarëve, që sipas saj kishin “njollë në biografi” e duke i klasifikuar si të “lidhur” me proceset antinjerëzore të komunizmit. Kësisoj, ajo paralajmëroi rrëzimin e dekreteve nëse presidenti nuk do të bënte konsultë për emrat. Por pikërisht tani që presidenti ka nisur konsultën, maxhoranca hedh në lojë kartën e “dosjeve” duke e gërshetuar këtë lojë të sajën me një fushatë thuajse të hapur kundër presidentit, qoftë edhe në Televizionin Publik të Shqipërisë. Megjithatë, jo më larg se dje deputeti demokrat Preç Zogaj ka kundërshtuar nismën e maxhorancës për “hapjen e dosjeve” duke e konsideruar këtë si një proces si të ezauruar që në vitin 1996. Por planet e krerëve të PD-së duket se i tejkalojnë qëndrimet e deputetit Zogaj, pasi me shumë gjasa edhe një herë tjetër çështja e “dosjeve të spiunëve” do të rikthehet në pushkë politike, por kësaj here pushka duket se do të drejtohet ndaj kompetencave të një presidenti që vetë demokratët e zgjodhën nga gjiri i tyre.
Aktiviteti
Që të dy drejtuesit më të lartë të vendit kanë marrë pjesë dje në premierën e filmit dokumentar: “Gjenocidi mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist”, realizuar nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë Antikomunistë. Në një prononcim për mediat Topalli është shprehur se hapja e dosjeve është domosdoshmëri për të mos lejuar ish-bashkëpunëtorë të komunizmit në Presidencë, Kryeministri dhe në Gjykatën e Lartë. Ndërsa presidenti Topi është shprehur se deklaratat e përfaqësuesve politike janë thjesht demagogji. “Natyrisht që ligji synon të pengojë që në Parlament, në Presidencë, në Gjykatën e Lartë dhe në nivele të tjera më të larta të shtetit shqiptar, të emërohen a të propozohen të tilla kandidatura që kanë marrë pjesë në gjyqe politike dhe kanë probleme me Sigurimin e Shtetit”, - është shprehur Topalli. Ndërsa Presidenti i Republikës, në përgjigje të interesimit të medias lidhur me kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë, tha se po flitet shumë në emër të të persekutuarve, por e gjitha është demagogji. “Në pasazhet e fundit të këtij filmi mjaft interesant ishte shprehja: “Për një çast të heshtim ne dhe të flasin ata”.
“Në mënyrë simbolike, unë kam një grua këtu pranë, është nusja e dajës tim, që ka qenë pikërisht në ata të përndjekur që u pasqyruan këtu, por që është vetëm një nga të gjithë ata të persekutuar, të cilët realisht duhet të flasin shumë, por edhe ata që pikërisht flasin në emër të tyre dhe po i konsumojnë edhe kartën morale të fundit këtij problemi, që pas gati njëzet vjet demokraci ka shumë demagogji dhe për fat të keq nuk ka veprime konkrete”, - është shprehur Topi.

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›