DASH, opozita: Shuplakë për Berishën
Aristir Lumezi
Opozita vlerësoi dje raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, i cili adr-esonte kritika të ashpra ndaj qeverisë shqiptare. Kreu socialist Edi Rama gjatë një konference për shtyp tha se “qeveria është për-gjegjësja e vetme për gjithë kritikat e adresuara ndaj Shqipërisë”. Kryesocialisti shtoi se shqetësimet që u shprehën në raport për të drejtat e njeriut ishin të njëjta me shqetësimet që ka shprehur vazhdimisht opozita”. “Gjatë vitit të fundit, qeveria tentoi edhe më shumë vënien nën kontroll të institucioneve të pavarura si gjyqësori, Prokuroria e Përgjithshme dhe media”, shkruan Departamenti i Shtetit”, tha Rama duke shtuar se sjellja prej bajraktari e Berishës ishte imagjinuar edhe për çështjen e ish-pronave. Duke iu referuar kapitullit të raportit të DASH, ku cilësohet se “Qeveria ndërhyri në hetimet mbi shpërthimin e depos së armëve në Gërdec më 15 mars”, Rama theksoi se “opozita u soll në mënyrë të denjë pasi ia la drejtësisë të thotë fjalën e saj dhe për 15 marsin që vjen kemi iniciuar një manifestimin të madh qytetar, që do të nisë në kraterin e vullkanit të korrupsionit në Gërdec, për të kujtuar tragjedinë e tmerrshme dhe do të mbyllet përpara zyrës së Kryeministrit në Tiranë”. Rama përmendi edhe sulmet e qeverisë ndaj gjyqësorit dhe medias duke shtuar më pas se kur PS të marrë pushtetit në asnjë raport të DASH nuk do të përmenden këta kapituj të zymtë. Ndërsa kreu i LSI-së e cilësoi Raportin i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë për vitin 2008, si “një shuplakë e fortë për Sali Berishën dhe keqqeverisjen e tij”. “Konkluzionet e partnerëve amerikanë janë në të njëjtën linjë me konstatimet dhe denoncimet që ne kemi bërë në vazhdimësi ndaj keqqeverisjes së Sali Berishës. Ashtu sikurse konkludon ky raport, ne kemi denoncuar kontrollin dhe presionin e Qeverisë mbi institucionet e pavarura, mbi gjyqësorin, mbi Prokurorinë dhe mbi median. Ashtu siç konkludon raporti, ne kemi denoncuar paaftësinë e Qeverisë për të realizuar një reformë të plotë e integrale në sistemin e drejtësisë, që rrit pavarësinë e sistemit, që rrit transparencën dhe efikasitetin e tij”, tha Meta. Sipas tij, ashtu siç konkludon raporti, LSI ka denoncuar pseudo-reformat ligjore të Berishës për shkatërrimin e Kushtetutës, për ligjin për Prokurorinë apo lustracionin, të cilat kanë pasur si objektiv të vetëm mbrojtjen e Fazlliçëve të shumtë dhe mbulimin e aferave korruptive.
Bumçi: PS të pranojë arritjet e qeverisë
Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi vlerësoi raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit, duke theksuar se në të përmendet edhe progresi i arritur nga ana e qeverisë shqiptare. “Ju na akuzoni për korrupsion, por nuk ka pasur periudhë qeverisjeje në Shqipëri ku krimi dhe korrupsioni të jenë luftuar më fort se sot. Nuk ka qeverisje që t’i ketë hequr vetes mbrojtjen e imunitetit dhe të dalë në dritën e diellit, si ka dalë kjo qeveri para shqiptarëve dhe këto janë të vërtetat që na ndajnë ne”, deklaroi Bumçi. Ndërsa zëdhënësi i deputetëve demokrate, Aldo Bumçi pranoi se me çështjen e pronave duhet të ishte bërë më shumë, por theksoi se Qeveria është e bindur që kompensimi fizik i ish-pronarëve është zgjidhja e vetme, që mund t’i jepet çështjes. “Ne jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e çështjes dhe kryeministri shprehu qartë planin për kompensimin të plotë fizik të ish-pronarëve”, deklaroi Bumçi. Ndërtesa theksoi se: “PS nuk e pranon raportin dhe se arritjet e qeverisë nuk janë nga reforma në letër, por nga rezultatet luftës antikorrupsion”.