E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanabisi, në kryeqytet kultivohet 1% e totalit

16/04/2010 Krerët e institucioneve bien dakord për bashkëpunim dhe thellimin e luftës

TIRANE- Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike ka mbledhur dje në një takim krerët e policisë dhe prefekturës së Tiranës, të cilët ranë dakord që të bashkëpunojnë për të luftuar deri në zhdukjen e mbjelljes së hashashit në zonat periferike të kryeqytetit. Ky ka qenë apeli i bërë nga kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, dhe prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, në një konferencë të përbashkët për luftën ndaj kanabisit. Kreu i policisë së Tiranës theksoi se kultivimi i narkotikëve nuk është problem vetëm i policisë, por edhe i pushtetit vendor e qeverisjes vendore dhe për këtë qëllim duhet që institucionet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Vocaj tha se për zhdukjen e fenomenit të kultivimit të hashashit, policia e Tiranës do ketë takime me gjithë njësitë e qarkut të Tiranës për të institucionalizuar bashkëpunimin, por edhe marrjen e përgjegjësive në këtë luftë. Sipas drejtorit Tonin Vocaj, vitin e kaluar në qarkun e Tiranës është regjistruar vetëm 1% i asgjësimit të lëndëve narkotike në shkallë vendi. Kjo shifër sipas tij tregon se ka probleme të vogla në këtë drejtim, por ai shprehu gatishmërinë për marrjen e masave me qëllim që kjo statistikë të kapë shifrën 0. Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, shprehu angazhimin maksimal të strukturave policore për parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie, si dhe vënien para ligjit të autorëve të saj. Duke folur për punën e policisë së Tiranës, Vocaj, tha se, janë parashikuar masa për organizimin e operacioneve policore për parandalimin, identifikimin si dhe asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike, kapjen dhe vënien para ligjit të autorëve të tyre. Gjatë mbledhjes së Shtabit të Qarkut të Tiranës kundër kultivimit të bimëve narkotikëve, u evidentua fakti se ky qark nuk përbën problem në këtë aspekt, ndërsa u vlerësua puna e bërë deri më tani nga policia. Si operacione të suksesshme të policisë së Tiranës për vitin 2010, u përmendën ato të muajit shkurt, ku u bë e mundur sekuestrimi i një sasie prej 7 kg farë Canabis Sativa. Të pranishëm në mbledhjen e Shtabit të Qarkut Tiranë ishin edhe përfaqësues nga pushteti lokal. Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, kërkoi thellim të bashkëpunimit të pushtetit vendor me policinë për zhdukjen finale të narkotikëve në qarkun e Tiranës. Ai theksoi se kultivimi i lëndëve narkotike nuk dëmton vetëm imazhin e Tiranës, por të gjithë Shqipërisë. Për t’ia hequr perden e zezë, Kruja theksoi se lufta kundër drogës i përket të gjithë qytetarëve.

KE për drogën

Pak kohë më parë, Këshilli i Evropës doli me një raport se lënda narkotike e llojit kanabis që mbillet në Shqipëri, kryesisht në komunën e Lazaratit ndikon në liberalizimin e vizave me Bashkimin e Evropian. Sipas përfaqësuesve të huaj, lënda narkotike është kthyer në shqetësim të vërtetë, ku tonelata me hashash trafikohen nga Shqipëria në vendet fqinjë. Ndërkohë që drejtori i policisë Hysni Burgaj në një takim në fshatin Lazarat u kërkoi banorëve që të mos kultivonin më kanabis, pasi do përballeshin me forcën e ligjit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›