Berisha: Çdo familje do ketë kompjuter
Çdo familje shqiptare do të ketë nga një kompjuter. Ky është premtimi i radhës i Kryeministrit Berisha lidhur me moshën dixhitale. Duke folur në Konferencën Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, kreu i qeverisë u shpreh se, "Qeveria, në një moment të caktuar, do të vendosë që t'i bëjë të mundur çdo familje shqiptare që të ketë kompjuter krahas televizorit në shtëpi. Ne kemi shumë arsye, por një nga arsyet më madhore është se ne biologjikisht jemi në moshën dixhitale, jemi kombi më i ri i Evropës dhe progresi në këtë moshë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një formim më të mirë të rinisë shqiptare". Berisha premtoi gjithashtu se brenda marsit të gjitha shkollat e vendit do të kenë nga një kabinet informatike. "Duke filluar nga marsi i vitit që vjen, të 2200 shkollat e vendit do të kenë internet dhe kabinete informatike. Deri më sot numri i tyre ka arritur në 900 dhe po ecën me shpejtësi. Pra, ne po ecim. Po bëhen përpjekje për të kompletuar e-government dhe nga janari i këtij viti Prokurimet Publike do të jenë vetëm elektronike". Duke iu referuar përdorimit të internetit nga qytetarët, kreu i qeverisë deklaroi se deri në vitin 2005 ajo ishte në kuotat e 4.8 për qind, ndërsa në vitin 2007 arriti në 15 për qind. "Inkurajues është fakti se vitin e kaluar sipas institucioneve më serioze ne kemi pasur rritjen më të lartë në Evropë të penetrimit të internetit. Nga 4.8 për qind ne kemi qenë 15 për qind dhe fundi i këtij viti duhet ta gjejë Shqipërinë deri në nivelin 20-22 për qind, i cili është dhe niveli botëror. Niveli i penetrimit të IT-së në Evropë është dy herë më i lartë, rreth 40-42%, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rreth 80 për qind", vijoi më tej Berisha.